E Diel, 1 Nëntor 2026

Avionë nga Turqia për shuarjen e zjarreve

Deri më tani janë regjistruar rreth 300 vatra zjarri, ku zonat më të prekura janë ato veriore dhe verilindore. Aktualisht, janë 25 vatra zjarri në vend, ku më shumë se gjysma e tyre janë aktive.

"Gjatë kësaj periudhe kemi të shfaqura rreth 300 vatra zjarri gjatë gjithë periudhës, pra në më shumë se një muaj e gjysmë. Gjatë 24 orëve të kaluara në gjithë territorin kemi pasur rreth 25 vatra zjarri në total, nga të cilat aktualisht sot janë aktive rreth 15 vatra. Këtu futen edhe ato zjarre që ne duhet t'i raportojmë sepse marrin pjesë efektivët e Shërbimit Zjarrfikës dhe Shërbimit Pyjor dhe konsiderohen si zjarre të vogla dhe që eleminohen shumë shpejt", thotë drejtori i Emergjencave Civile, Alfred Olli.

Ai shton se dy avionë turq do të vijnë në ndihmë për të përballuar situatën. "Gjatë ditës së djeshme kemi pasur komunikime me qendrën e monitorimit të Brukselit, të BE. Dje dhe sot kemi pasur kontakte të vazhdueshme me ambasadën e shtetit turk në Tiranë dhe sot pasdite ose nesër në mëngjes ne mund të kemi në dispozicion një ose dy avionë të flotës turke për të operuar në territorin shqiptar", tha Olli.

Temperaturat e larta do të shoqërojnë Shqipërinë deri në fund të këtij muaji dhe më pas pritet që moti të freskohet, ku do të shoqërohet edhe me reshje shiu. Temperaturat janë deri në 39 gradë celsius, pasi vendi është përfshirë nga rrymat ajrore afrikane. /Start/

                                                                                             2012-08-23 17:11
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›