E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncon në polici, ma morën vajzën për trafikim

05/03/2009  Policia: Është maxhorene, do e verifikojmë

PEQIN- Pasi ka pritur më kot 24 orë për kthimin e vajzës së saj, një nënë nga Gjocaj i Peqinit është paraqitur në komisariat duke bërë edhe denoncimin për një trafikim të mundshëm. Liri Pushka, 53 vjeç, me banim në fshatin Gjocaj të Peqinit u ka thënë agjentëve se vajza e saj S. Pushka, 29 vjeç, në 2 mars rreth orës 09.00, është larguar nga shtëpia me një person nga Durrësi. Policia ka bërë shpalljen në kërkim të shtetases Sonila Pushka dhe të shtetasit S. B., i cili akuzohet për trafikim. Gjeneralitetet e dy personave i janë shpërndarë edhe komisariateve të tjera të vendit përfshirë edhe policinë kufitare. Fotografia e vajzës është shpërndarë dhe po hetohet nëse ajo ka kaluar kufirin apo jo. Duke qenë se është maxhorene e vetmja akuzë që mund ta përfshijë burrin 47-vjeçar është ajo e trafikimit. Gjithsesi nga ana e policisë po bëhen të gjitha verifikimet për lidhjen mes vajzës dhe atij. Mësohet se ai nuk është gjetur në shtëpinë e tij në Durrës dhe të afërmit nuk dinë gjë. Kërkimet janë ende në vazhdim dhe policia tani për tani nuk jep ndonjë detaj më tepër mbi këtë rast. Sipas hetuesve, akuza e trafikimit dyshohet, por nuk është e verifikueshme deri në momentin kur të gjendet vajza, e cila mund ta akuzojë ose jo personin me të cilin është larguar. Kërkimet për gjetjen e dy personave vazhdojnë, por ende pas 24 orëve nuk është mësuar ndonjë e re.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›