E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, gjendet kufoma e dekompozuar prej 15 vjetësh

05/03/2009  Është vrarë me pistoletë, pistat e policisë

SHKODER- Një kufomë e dekompozuar është gjetur rastësisht e varrosur në një shpellë të fshatit të thellë malor Selcë të Vermoshit. Eshtrat e para të kësaj kufome janë gjetur nga disa fëmijë ditën e martë, teksa po kullotnin bagëtitë. Kufoma është gjetur rreth 50 metër nga rruga e fshatit të Selcës. Fillimisht banorët kanë menduar se ndoshta dikush e kishte varrosur tek varrezat e fshatit. Pas këtij zbulimi të papritur të kësaj kufome, banorët e fshatit Selcë kanë lajmëruar menjëherë policinë, e cila ka vajtur së bashku me grupin hetimor dhe atë të ekspertëve. Nga këqyrja paraprake e kufomës në vendin ku ishte varrosur, ekspertët kanë vërejtur se trupi ishte krejtësisht i dekompozuar, ndaj ishte vështirë të identifikohej. Në sajë të dekompozimit kuptohej se kufoma gjendej e varrosur prej më se 15 vjetësh. Burimet policore të Malësisë së Madhe shprehen se ekspertët janë të mendimit se kufoma duhet të ketë qenë mbi 20 vjeç dhe jo më shumë se 35 vjeç. Ndërkohë ekspertët kanë konstatuar se personi që ishte varrosur në atë shpellë kishte gjetur vdekjen nga armë zjarri, pasi në kafkë dalloheshin dy vrima plumbash, pistolete. Për grupin hetimor, nisur nga dekompozimi dhe vendi i gjetjes, pista më e mundshme është vrasja e ndonjë shtetasi në tentativë për të kaluar kufirin shqiptaro-malazez gjatë viteve ‘80-të. Ndërkohë pista tjetër lidhet me vrasjen e ndonjë shtetasi të zonës përreth nga ndonjë konflikt me persona të tjerë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›