E Hënë, 2 Nëntor 2026

Avokatë falas në ndihmë të emigrantëve

12/12/2004  Të gjitha ambasadat e Shqipërisë do të kenë një listë me emrat e avokatëve që do të jenë në shërbim falas për emigrantët shqiptarë. "Shtetasve shqiptarë, të cilët janë në ndjekje penale apo kanë qenë të dënuar penalisht, duhet t'u ofohet asistencë ligjore falas, nëse është e nevojshme", thuhet në strategjinë për migracionin. Megjithatë, ndihma me asistencë juridike do të jepet kur kërkohet nga emigranti, apo kur vërehet se shteti ku jetojnë shqiptarët nuk e ofron asistencën me avokatë. Ndihmë me avokatë falas do të jepet "në rastet kur kjo nuk ofrohet nga vendi pritës në veçanti duhet siguruar që me shtetasin, që komunikohet në një gjuhë që ai kupton, ose me anë të përkthyesit, nëse është e nevojshme", thuhet në strategjinë e Shqëprisë. Nga ana tjetër është kërkuar që në mënyrë specifike të përgatitet lista e plotë e numrit të avokatëve të sopecializuar për të drejtën dhe çështjet e migracionit. "Kjo listë duhet të jetë e disponueshme nëpër ambasada dhe konsullata, si dhe në shërbimet qendrore të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në të gjitha ambasadat të jenë hedhur në internet të dhënat ndihmëse për emigrantët", thuhet në vendimin e marrë. Kjo pikë do të ridiskutohet në Komisionin e Punëve të Jashtme për të kaluar më pas në miratimin në seancën plenare. Nga ana tjetër është kërkuar që të krijohet një grup pune për të iniciuar politika të reja për emigracionin. Ndërsa për të thithur trurin është kërkuar zhvillimi i një kursi të avancuar, apo të një programi studimi të veçantë për migrimin në universitetet shqiptare.

Emigrimi

Deri në vitin 2001, kanë emigruar 710 mijë emigrantë shqiptarë. Sipas të dhënave të asaj periudhe, 390 mijë janë meshkuj dhe 320 mijë femra. Kryesisht perefencat e shqiptarëve kanë qenë Greqia dhe Italia. Por së fundi është vënë re se emigrantët po përzgjedhin vende më të largëta, ku ka më shumë të ardhura. "Një e pesta e emigrantëve janë në Itali, një e pesta në Greqi dhe pjesa tjetër në një sërë vendesh", thuhet në strategjinë e paraqitur prej Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Kthimet

Mbi 300 emigrantë janë kthyer në Shqipëri gjatë vitit 2001-2004 nëpërmjet programit të kthimit vullnetar të iniciuar prej IOM. Mbi 30 mijë shqiptarë të tjerë janë ripranuar ose janë dëbuar, si pasojë e hyrjes dhe e qëndrimit të parregullt në shtetet evropiane, ku kanë emigruar.

Ripranimi

Pjesa më e madhe e emigrantëve të kthyerve janë nga Italia dhe nga Greqia, si dhe nga Mbretëria e Bashkuar, ku shqiptarët nuk kanë pasur sukses në kërkesat e tyre për azil.

Në rastet e dëbimit prej disa shteteve të BE-së të kthyerit nuk kthehen në Shqipëri, por në Kosovë, pasi kanë përdorur të tillë identitet.

Rreziku

Rrezik kurthi “I ripranimit” për shtetasit e vendeve të treta, të cilët rrezikohet të mbesin në Shqipëri, pasi, sipas marrëveshjeve të ripranimit, emigrantët e paligjshëm, mund të rikthehen në vendin nga ku kanë kaluar tranzit. Pra, në rast banorët e vendeve aziatike që kanë kaluar prej Shqipërisë në Itali, qëndrojnë në Shqipëri kur dëbohen.

Diskriminimi

Emigrantët shqiptarë veçanërisht ata që ndodhen në Itali dhe në Greqi, ku është përqëndruar pjesa më e madhe, kanë qenë në qendër të një klime jofavorizuese, e cila në shumë raste është shfaqur në formën e ksenofobisë dhe të diskriminimit. Një propagandë antishqiptare është shpërndarë dhe vazhdon të shpërndahet.

Të dhënat

Deri në vitin 2001 kanë emigruar 710 mijë emigrantë. 390 mijë janë meshkuj dhe 320 mijë femra. Një e pesta e emigrantëve janë në Itali, një e pesta në Greqi dhe pjesa të tjertër në një sërë vendesh. Gjysma e emigrantëve nuk janë të pajisur me dokumente të rregullta. Kjo e dhënë ka dalë nga statistikat e shtetit mbi vizat e dhëna për punësim etj

Situata aktuale

Greqi 600 000

Itali 250 000

Gjermani 15 000

SHBA 150 000

M. Bashkuar 50 000

Belgjikë 5 000

Francë 2 000

Kanada 11 500

Zvicër 1 500

Austri 2 000

Vendet e Ulëta 1 000

Turqia 5 000

Qeveria miraton propozimin e Presidentit

Ministri e veçantë për Emigrantët

Qeveria ka pranuar propozimin e Presidentit të Republikës për të krijuar një ministri për emigracionin. Por, paralelisht me këtë në Ministrinë e Jashtme do të ngrihet një drejtori e posaçme, që do të kujdeset për emigracioni. Në strategjinë e miratuar pak ditë më parë prej Këshillit të Ministrave pranohet "krijimi në nivel politik i postit të ministrit për Migracionin dhe vendosjen në dispozicion të tij adiministratën, që do të merret me këtë çështje. Krijimi i një drejtorie të veçantë për migracionin në Ministrinë e Punëve të Jashtme". Një vendim i tillë duket se ka ardhur dhe si shkak i numrit të madh të emigrantëve shqiptarë si dhe të ankesave të tyre për shkeljen e të drejtave si nga administrata e ambasadave, ashtu dhe prej administratës së shteteve ku ata jetojnë dhe punojnë. Ndaj dhe është propozuar "krijimi i kapaciteteve për të zbatuar propozimet e strategjisë në lidhje me regjistrimin e emigrantëve dhe dhënia e informacionit, duke ngritur sportelet e emigrantëve". Ndaj ekspertët kanë kërkuar që të vlerësohet nëse koordinimi mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Rendit është i mjaftueshëm për realizimin e procedurave për realizimin e një procedure efiçiente për dhënien e vizave afatshkurtra. Për këtë çështje është kërkuar krijimi i politikave të qarta që do të sjellin dhe përgjigjen e drejtë ndaj kërkesave që kanë emigrantët shqiptarë në vendet ku ata jetojnë dhe punojnë.

Të ndryshojë Kodi Zgjedhor

Të votojnë në vendet ku jetojnë dhe punojnë

Specialistët e Ministrisë së Punëve të Jashtme kanë propozuar që emigrantët shqiptarë të votojnë në vendet ku ata jetojnë dhe punojnë. Një proces i tillë do të jetë i zbatueshëm pas një regjistrimi korrekt të shqiptarëve, që janë larguar nga Shqipëria, me apo pa dokumente. "Të bëhen ndryshimet përkatëse në kodin zgjedhor, në mënyrë që emigrantët të votojnë në vendet ku ata jetojnë dhe punojnë, duke krijuar një mundësi të tillë në zyrat e përfaqësive diplomatike dhe konsullore", thuhet në strategjinë kombëtare për emigracionin. Por propozimi duket se nuk do të konkretizohet për votimet e vitit 2005, pasi tashmë është vendosur që emigrantët të votojnë në Shqipëri, pasi nuk ka një infrastrukturë të besueshme për garantimin e votës së lirë. Opozitarët janë shprehur në Komisionin Bipartizan, se transporti i kutive të votimit nuk është i besueshëm nga një rreth në tjetrin dhe jo më në një shtet në tjetrin. Ndaj dhe është kërkuar që të krijohen të gjitha lehtësirat që emigrantët të vijnë në Shqipëri dhe të votojnë për kandidatin dhe për partinë që ata dëshirojnë. Por, duke parë se për shumë shqiptarë është e pamundur që të lënë punën dhe të kthehen për të votuar, është propozuar të krijohet e gjithë infrastruktura që emigrantët të votojnë aty ku punojnë. Një procedurë e tillë ndiqet në shumicën e shteteve të Bashkimit Evropian si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje, tashmë është pranuar dhe votimi në internet, ku zgjedhësit e shprehin të drejtën e tyre me e mail, apo dhe në site të përcaktuara më parë. Gjithsesi për këtë procedurë është vlerësuar tepër e rëndësishme regjistrimi i të gjithë votuesve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›