E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria akuzon 31 zyrtare

12/12/2004  

Më shumë se 31 zyrtarë dhe punonjës të administratës janë akuzuar nga Prokuroria për vepra të ndryshme penale. Prokuroria e Përgjithshme publikoi dje statistikat e 9-mujorit të këtij viti, sipas të cilave 31 punonjës të administratës janë dërguar në Gjykatë me akuza të mashtrimit, falsifikimit, shpërdorimit të detyrës apo mitmarrjeve. Burimet zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme thanë dje, se ky institucion, sipas udhëzimeve të kreut të tij, ka patur në qendër të vëmendjes luftën kundër korrupsionit. Pjesë e kësaj lufte është edhe ngritja e një zyre Antikorrupsion. Dy numra telefoni u vunë në shërbim të qytetarëve, të cilët mund të telefononjnë nga çdo qytet i vendit dhe të denoncojnë pranë zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm abuzimet e zyrtarëve dhe administratës me të drejtat e tyre. Prokuroria publikoi dje rezultatet e punës edhe në fushën e krimit në dogana dhe tatime. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, 63 punonjës të doganave e tatimeve dhe sektorëve të tjerë, janë në hetim për abuzime me detyrën, ndërsa 31 të tjerë janë dënuar me vendim Gjykate për akuzat e ngritura ndaj tyre. Në fushën e krimit në dogana, sipas akuzës, janë dënuar 56 punonjës, ndërsa në proces gjykimi për akuzat ndaj tyre janë 52 të tjerë. Sipas statistikave të Prokurorisë së kryeqytetit, korrupsioni ka ardhur në rritje gjatë muajve të këtij viti. Veprat më të shumta që heton Prokuroria janë vjedhjet e adoleshentëve dhe korrupsioni i punonjësve të administratës dhe zyrtarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›