E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjykata, egjiptiani pas dënimit të largohet nga Shqipëria

12/12/2004  

TIRANË - Vetëm katër muaj burg. Kaq ishte vendimi i dhënë nga gjyqtari Fehmi Petku, për shtetasin egjiptian Haithan Mohamed Alanuar Abdel Detah, 25 vjeç, akuzuar për kalim të paligjshëm të kufirit. Petku, në vendimin e dhënë ditën e premte në orët e para të mëngjesit, vendosi që, i pandehuri, pasi të linte dhomat e Burgut 313-të, të kalonte kufirin për të mos u kthyer më në vendin tonë. Erdhi në Shqipëri në mënyrë të paligjshme në fund të gushtit të këtij viti. Kapet nga policia në qytetin e Elbasanit. Dërgohet më pas në Tiranë, me frikën se ishte element terrorist. Por gjatë hetimit dhe më pas gjykimit për të, nuk u gjet asnjë e dhënë, edhe pse gjykata kishte urdhëruar hapjen e disa dosjeve.

Egjiptiani

I pandehuri para gjykatës nuk ka dhënë shumë shpjegime. E vetjma arsye për të cilën ka shpjeguar se ndodhej në Shqipëri që prej 13 gushtit, ishte gjetja e një pune. Ai është me arsim të mesëm. Ka pohuar se puna që ushtronte ishte ajo e hidraulikut. Ndërkohë nuk ka pranuar akuzën e kalimit të paligjshëm të kufirit. I pandehuri mbrohej nga avokatja Vjollca Pustina, e caktuar kryesisht nga gjykata. Sipas avokates, shtetasi egjiptian ka shpjeguar se ka patur pasaportë të rregullt, por pas ndalimit, policia ia ka grisur. Prokuroria kërkoi që i pandehuri të dënohej me kohën e paraburgimit, duke e quajtur të mjaftueshme këtë masë ndëshkuese. Sipas akuzës, përveç kalimit të paligjshëm të kufirit, mbi të pandehurin janë hedhur dyshime. Prokurori ka thënë para gjykatës se nga ana e organit që ai përfaqëson janë bërë hetime për të saktësuar ardhjen e tij në Shqipëri. Gjithashtu është punuar për të zbuluar nëse i pandehuri mund të ketë lidhje me ndonjë grup terrorist. Këto pretendime janë kundërshtuar nga i pandehuri, i cili është shprehur se ka ardhur vetëm për të punuar dhe se pas tij nuk ka persona të tjerë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›