E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ish-zëvendësministri shqiptar në burg, në Itali

12/12/2004  Një ish-zëvendësministër shqiptar është arrestuar një vit më parë në Itali dhe gjendet në vendin fqinj në burg. Trafik dhe kontrabandë janë akuzat që rëndojnë mbi të. Napoli është qyteti ku mbahet në arrest ish-titullari shqipar, emri i të cilit nuk jepet për arsye të sekretit hetimor. Pushtetari i dikurshëm, thuhet nga agjentët e hetimit, pas disa muajsh në burg ka pranuar të vishet me statusin e ofruar të bashkëpunëtorit me drejtësinë dhe të rrëfejë mëkatet e tij në trafik. Antimafia ka shpresë se me dëshminë e tij do të plotësojë boshllëqe të dosjes së madhe të narkotikut, për episode dhe emra të rëndësishëm që kanë qenë ortakë dhe "miq" të zëvendësministrit. Ndërkohë gjyqi në ngarkim të tij është ende i hapur dhe gjykatat italiane nuk kanë marrë një vendim të formës së prerë. Shtatë prokurorët që kanë zbarkuar në Romë dhe Napoli, ka gjasa që të marrin në pyetje "njeriun e rëndësishëm", dikur zëvendësministër.

Biznesi

"Biznes". Kjo është fjala e lidhur gjithnjë e në mënyrë të përsëritur me krimin e organizuar. Dyshimin e kanë provuar bisedat telefonike të përgjuara, apo agjentë të infiltruar në shumë hetime të kryera nga drejtësia dhe policia italiane. Dyshohet nga ekspertët se dhe i penduari ka hedhur një shumë të konsiderueshme parash në Shqipëri në investime të ndryshme, që janë fshehur në adresa të tjera. Dëshira për të kontrolluar "lumin" e të ardhurave nga trafiqet e paligjshme, ka bërë që klanet e caktuara shqiptare të mos jenë të gatshme të heqin dorë. Kjo, sipas drejtuesve të antimafias italiane, ka fuqizuar së tepërmi krimin shqiptar. Italianët e prokurorisë së antimafias kanë pohuar së fundmi se janë mbi dhjetë familje nga më të mëdhatë shqiptare, që njihen si zotërueset e trafikut të drogës.

"Camorra"

Pesha kryesore e "biznesit" i takon "Camorra"-s napolitane. Anëtarë të rëndësishëm të kësaj organizate kanë ardhur në Tiranë në tre vitet e fundit. Gjithashtu është arritur të identifikohet dhe kontrabanda e mallrave mes dy vendeve, ku organizata ka rolin e saj dominues. Të ardhurat janë miliona dollarë në vit. Pak ditë më parë, në Tiranë, shefi i antimafias italiane, Pierluixhi Vinja, ka rikonfirmuar rrezikshmërinë e krimit të organizuar shqiptar në vendin e tij. Hetuesit fqinjë kanë saktësuar se kemi të bëjmë me një pushtet që shfaqet shpesh, kur mbi gomonet që përshkojnë Adriatikun, së bashku me klandestinët udhëtojnë kilogramë të tëra droge.

"Di Laura", beteja me ekzekutorë shqiptarë shënon mbi 21 viktima

Muajt e fundit, në Itali, organizatat kriminale kanë ashpërsuar luftën mes tyre. Klani Di Laura në Napoli u shthur. Lufta për të marrë kreun e bandës nisi me vrasje. Pagesat ranë. Kapoja i "familjes" thërret në ndihmë ekzekutorë nga Shqipëria, me shpresë që ta nxjerrin nga situata. Në pak ditë numri i viktimave kalon mbi 20. Nga antimafia vërshojnë drejt Napolit mbi 200 forca speciale. "Camorra" bën rezistencë të egër.

Shtatë prokurorë shqiptarë në Romë dhe Napoli

Javën e shkuar në Tiranë zbriti shefi i antimafias italiane, Pierluixhi Vinja. Në një hark të shkurtër kohor ishte vizita e tretë e funskionarit të lartë në Tiranë. Ftesa shihej dukshëm. Në kthim për në Itali, bashkë me Vinjan, udhëtojnë Sollaku me shtatë prokurorë shqiptarë, kryesisht të Drejtorisë së Luftës Kundër Krimit të Organizuar. Roma dhe Napoli, vatrat e luftës kundër mafias, janë adresat e punës së prokurorëve shqiptarë në këtë javë intensive. "Camorra" këtë herë s'do njohë vetëm ekzekutorë shqiptarë, por dhe hetues e prokurorë që vihen në krah të antimafias.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›