E Hënë, 2 Nëntor 2026

Paraburgimi në Fier dhe Krujë, gjendja skandalozeuka

12/12/2004  TIRANË – Ndërtesat e vjetra dhe të papërshtatshme mbahen ende në këmbë dhe brenda tyre qëndrojnë si "kafshë" persona të paraburgosur. Këto dy komisariate, të cilët ende janë në varësi të Ministrisë së Rendit, në datat 19 deri 27 nëntor janë vëzhguar nga përfaqësues të Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Një nga pikat më shqetësuese, që vazhdon të jetë në këto komisariate është mbipopullimi. Kapaciteti i vendeve për të paraburgosur në komisaritin e Fierit është 48 persona. Ndërkohë që nga vëzhgimi doli se në këtë komisariat jashtë çdo rreglloreje mbahen 114 persona. Në komisariatin e Krujës mbahen 13 persona mbi kapacitetin. Si pasojë e mbipopullimit, janë krijuar probleme që lidhen me fjetjen dhe higjienën e personave në këto dhoma. Ndërkohë është vënë re një tjetër shqetësim, ai i qëndrimit në të njëjtin vend i të miturve me të rriturit. Shpesh janë bërë deklarata mbi ndarjen e kësaj kategorie në paraburgim, por deri tani asnjë konkretizim. Në të dyja komisariatet dihet që mbahen ende persona që janë dënuar dhe vendimi ka marrë formë të prerë. Transferimi i tyre nuk është bërë, edhe pas premtimit të ministrit të Drejtësisë, Fatmir Xhafa. Në komisariate ekziston vetëm një banjë. Ndërkohë që shërbimi shëndetësor është i pakënaqshëm. Një tjetër shqetësim që kanë ngritur vetë të paraburgosurit, është fakti që në momentin e ndalimit ata nuk vihen në dijeni për të drejtat që kanë. Të gjitha këto probleme i janë bërë të ditur si Ministrisë së Drejtësisë, e cila ka të drejtën të transferojë personat me vendim të formës së prerë dhe Ministrisë së Rendit Publik. Kësaj të fundit i takon përgjegjësia e madhe për të zbutur vështirësitë në komisariatet e mësipërme. Punonjësit e policisë në këto komisariate duhet të njohin mirë ligjet, me qëllim që të paraburgosurit të mos trajtohen si persona të inkriminuar, deri në momentin që për ta nuk është dhënë një vendim nga gjykata. Kushte të vështira ka edhe në komisariate të tjerë të vendit, ku mbipopullimi zë vend të parë. Po kështu, të dënuarit shpesh kanë kërkuar transferim nëpër kampe, por kjo gjë me sa duket do të zgjasë. Në Ministrinë e Drejtësisë, shprehen se një gjë e tillë do të mund të bëhet kur të jenë ndërtuar burgje të reja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›