E Diel, 1 Nëntor 2026

Mitmarrja, gjykata la të lirë policin e qarkullimit rrugor

12/12/2004  

TIRANË – Gjyqtarja Kaçe Agolli ka lënë të lirë dje, me vendim të masës së arrestit, ish-policin e qarkullimit rrugor, Luan Selaci. Akuza me të cilën erdhi Selaci para gjykatës për të marrë masën e arrestit, ishte ajo e mitmarrjes. Por duke qenë se shuma ishte e vogël dhe polici nuk ka paraqitur rrezikshmëri të lartë shoqërore, vetë organi i Prokurorisë e ka lehtësuar atë. Për Prokurorinë Ushtarake, i pandehuri duhet të hetohet në gjendje të lirë. Ai do të detyrohet të paraqitet në policinë gjyqësore një herë në dy javë, me qëllim që të jetë në dispozicion të akuzës. Para gjykatës, polici e ka kundërshtuar veprën penale. Ai ka deklaruar se vetëm e ka ndihmuar shtetasin Alfred Prenga, për të nxjerrë automjetin e bllokuar. Çështja do të sqarohet, pasi në pyetje të merret pronari i makinës, i cili është njëkohësisht edhe personi që ka dhënë shumën e 10 mijë lekëve. Për gjykatën, marrja e kësaj shume përbën vepër penale, por mënyra se si është proceduar për të arritur deri këtu, nuk e vështirëson maksimalisht, pozitën e policit rrugor. Pas dhënies së vendimit nga gjykata, Selaci ka hequr prangat e vendosura në duar në datë 9 dhjetor. Në pranga është vënë edhe shtetasi nga Laçi, Alfred Prenga. Mbi të rëndon akuza e falsifikimit të dokumenteve. Ndërsa polici do të përgjigjet për shpërdorim detyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›