Avokatët dështojnë gjyqin e "Gaxhait"
TIRANE - Gjykata për Krimet e Rënda shtyu dje seancën gjyqësore në ngarkim të Gazmir Brakës, i njohur edhe si "Gaxhai" dhe katër të bashkëpandehurve të tij. Shkak i shtyrjes ka qenë mungesa e disa prej avokatëve mbrojtës të të pandehurve, shkak ky i përsëritur për të pestën herë radhazi. Në seancën e djeshme, e cila shënonte seancën e 80-të të këtij procesi, në kushtet kur jo të gjithë avokatët ishin të pranishëm, prokurori i çështjes ka kërkuar shtyrjen e saj dhe caktimin e një date të re. Të pandehurit e këtij procesi, Gazmir Braka, Armando Sulejmani, Sokol Sinemati, Edmond Leskaj dhe Gazmend Nebiu nuk ishin të pranishëm në seancë dhe ata duhet të përfaqësoheshin nga avokatët e tyre mbrojtës. Në të tilla kushte, edhe mungesa e një avokati të vetëm bëhet pengesë për zhvillimin e procesit. Procesi gjyqësor në ngarkim të Gaxhait, i cili është duke vuajtur një dënim me burgim të përjetshëm dhe bandës së tij, ka nisur më tepër se dy vjet më parë. Ata akuzohen për kryerjen e veprave penale të "krijimit të bandave e organizatave kriminale" e "vrasje", në vitin 1997. ar.ba