Humbi kontrollin e mjetit, vdes 28-vjeçari
BERAT - Një aksident me pasojë vdekjen e një 28-vjeçari ndodhi dje në Berat. Ngjarja ndodhi në aksin Berat-Fier rreth orës 13:00. Albert Farushja nga Rroskoveci u përplas me një mur betoni të një ndërtese në anë të rrugës, pasi humbi kontrollin e mjetit. I riu po udhëtonte me motrën dhe dy fëmijët e saj teksa u aksidentua. Sipas policisë, mjeti Fiat Punto me targa të huaja është përplasur në afërsi të komunës Kutalli. Ai u dërgua në qendrën shëndetësore të kësaj komune, por nuk mundi t'i mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë rrugës. Fatmirësisht, motra e viktimës dhe dy fëmijët e saj pësuan vetëm disa gërvishtje. Ajo deponoi në polici se i vëllai kishte humbur ndjenjat rreth 100 metra përpara se të përplaseshin. Familjarët e viktimës pohuan se ai vuante prej disa vitesh nga zemra dhe se humbja e kontrollit të mjetit mund të jetë shkaktuar nga ndonjë parainfarkt. d.xh