Debat i ashpër në qeveri, Bode i rrëzon Berishës shifrat e rritjes ekonomike
ADI SHKEMBI
Shifrat e rritjes ekonomike të vitit të kaluar përplasin publikisht kryeministrin Berisha dhe Ministrin e Financave, Ridvan Bode. Ka qenë pikërisht mbledhja e parë e këtij viti për Komitetin e Planifikimit të Strategjive, ajo që ka vënë përballë dy qëndrimet e kundërta lidhur me rritjen reale në vend. Kryeministri Berisha ka ndërhyrë në momentin kur zv.ministri i Financave, Florjon Mima, i cili theksoi se rritja ekonomike për tre tremujorët e parë të vitit të kaluar është 7.2%. "Shifra nxirret nga institutet e statistikave dhe nuk ke asnjë të drejtë ti (i drejtohet zv.ministrit të Financave) as ministri yt dhe asnjë njeri në qoftë se nuk i gjen gabimet apriori t'ia hedhësh poshtë, se të leverdis. Është një praktikë absolutisht e papranueshme", u shpreh Kryeministri Berisha. Por pas tij kreu i Financave, Ridvan Bode theksoi se gjatë kontakteve që ka pasur pikërisht me Institutin e Statistikave (INSTAT), rritja ekonomike për vitin e shkuar ishte shtatë deri në tetë për qind. "Ne kemi marrë kontakt me Drejtoreshën e Statistikave dhe ata më kanë thënë që rritja vjetore mund të jetë në kufijtë 7 deri në 8 për qind", është shprehur Bode. Por pavarësisht deklaratës së Ministrit të Financave, Kryeministri Berisha nuk është tërhequr nga qëndrimi i tij, sipas të cilit rritja ekonomike është pikërisht ajo e certifikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. "Ju të nderuar zotërinj jeni në konflikt të hapur interesi me shifrat. E kuptoni vetë ju, prandaj axhustimi do të bëhet i të gjitha të dhënave me shifrën që jep Instituti i Statistikave. Jam plotësisht dakord që ajo që ka biseduar edhe Ridvani, që tremujoret mund të kenë një mesatarizim, por ama shifër tjetër ne nuk mund të përdorim. Janë të certifikuara nga fondi monetar", iu drejtua kreu i qeverisë dy përfaqësuesve të lartë të Ministrisë së Financave. Duke argumentuar besueshmërinë tek INSTAT në lidhje me shifrën e rritjes ekonomike, kryeministri tha se një punonjës i FMN-së ka punuar me Institutin. "Shifrat mendoj se është në interesin më të mirë të gjithsecilit që t'ia lëmë institucionit që ia kemi besuar. Në rast se kemi dyshimin më të vogël, të ulemi me të diskutojmë. Në Institutin e Statistikave ka një punonjës të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ka punuar së bashku me ta për muaj të tërë, i cili ka qenë në zyrën time dhe i ka certifikuar tërësisht shifrat e tyre. Ky është realiteti", u shpreh Berisha. Në fjalën e tij, gjatë mbledhjes së komitetit, kreu i ekzekutivit theksoi se Shqipëria nuk është prekur nga kriza financiare botërore. Sipas kreut të qeverisë, në tërësi ekonomia në vend është 70 për qind ekonomi reale dhe 30 për qind financiare. "Por tensioni botëror na imponon që edhe ne të ndjekim disa trende: rritja e investimeve, rritja e pagave dhe pensioneve dhe ulja e taksave, që ne e kemi. Unë besoj se ky është trinomi më i shkëlqyer për të mbrojtur ekonominë e vendit", u shpreh Berisha. Sipas tij "ne, fatmirësisht, i kemi, por tani duhet të jemi të kujdesshëm edhe në problemin e deficitit. Nuk them të mos shkojmë drejt uljes, por drejt një ulje shumë të moderuar, pasi është një situatë e re. Vini re të gjitha ekonomitë botërore, me në krye Japoninë, kryeministri i së cilës paraqiti këtë vit buxhetin më gjigant, duke rritur deficitin".
Replikat
Florian Mima: Për tre tremujorët e parë të vitit që lamë pas rritja ekonomike ka qenë në masën 7.2 %. Ne nuk kemi tre mujorin e fundit për rritjen ekonomike, sepse ajo del në shkurt.
Sali Berisha: Shifra nxirret nga institutet e statistikave dhe nuk ke asnjë të drejtë ti (i drejtohet zv.ministrit të Financave) as ministri yt dhe asnjë njeri, në qoftë se nuk i gjen gabimet apriori t'ia hedhësh poshtë, se të leverdis. Është një praktikë absolutisht e papranueshme.
Ridvan Bode: Ne kemi marrë kontakt me Drejtoreshën e Statistikave dhe...
Sali Berisha: Edhe unë kam marrë kontakt shumë të hollësishëm me të.
Ritvan Bode: Dhe ata më kanë thënë që rritja vjetore mund të jetë në kufijtë 7 deri në 8 për qind.
Florian Mima: Ne jemi në respekt për të informuar çdo fillim janari komitetin e planifikimit të strategjive lidhur me treguesit makro. E vërteta është që ne kemi vetëm tre tremujorë për vitin 2008.
Sali Berisha: Ju të nderuar zotërinj jeni në konflikt të hapur interesi me shifrat. E kuptoni vetë ju, prandaj axhustimi do të bëhet i të gjitha të dhënave me shifrën që jep Instituti i Statistikave. Jam plotësisht dakord që ajo që ka biseduar edhe Ridvani, që tremujoret mund të kenë një mesatarizim, por ama shifër tjetër ne nuk mund të përdorim. Janë të certifikuara nga Fondi Monetar.
Florian Mima: Zoti kryeministër ne e nxjerrim këtë shifër pas një debati që kemi bërë....
Sali Berisha: Çfarë debati, unë dua shifra, statistika. Shifrat duhen, me debate merren mediat, gazetarët. Ata i duan debatet.
Berisha: Ndihmë Ramës për Unazën e madhe të Tiranës
Kryeministri Berisha tha dje se qeveria do t'i ofrojë Bashkisë së Tiranës fondet për shpronësimet për ndërtimin e Unazës së madhe të Tiranës. Sipas tij, nëse bashkia dështon në sigurimin e kredisë, qeveria do të marrë përsipër ndërtimin e saj. "Unaza e madhe e Tiranës është një domosdoshmëri për qytetin. Bashkisë do t'i ofrohet mundësia për shpronësimin. Shanset e bashkisë për t'u bërë e zgjedhshme për kredi janë minimale, pasi performanca e saj fiskale është e mjerueshme, megjithëse informohem se ka një Departament për mbledhjen e taksave prej 300 punonjësish, aq sa edhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në Shqipëri", u shpreh kryeministri. Duke e konsideruar Unazën e madhe të Tiranës tepër të rëndësishëm për kryeqytetin, Berisha theksoi se projekti për ndërtimin e saj, me vlerë rreth 300 milionë euro, nuk mund të shtyhet më. I menjëhershëm ishte dje reagimi i nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi. "Kemi marrë edhe miratimin e Këshillit Bashkiak dhe kemi që në prillin e shkuar, që presim qeverinë të bëjë detyrën e saj ligjore për garantimin e fondit të shpronësimeve", theksoi ai.