E Diel, 1 Nëntor 2026

I dënuari për drogë, në pranga me pistoletë çakmak në Tiranë

 

TIRANE - Kapet me pistoletë të modifikuar si çakmak, 28-vjeçari i dënuar më parë për mbajtje dhe shitje të lëndëve narkotike. Policia i bllokoi Klaudio Prendit, armën e kalibrit të vogël, e cila është dërguar për laboratorin qendror për ekzaminim balistik. Një veprim i tillë është kryer nga ekspertët, me dyshimin se një armë e tillë e modifikuar, mund të jetë përdorur në ndonjë skenë krimi. Klaudio Prendi 28 vjeç, banues në kryeqytet, është arrestuar në flagrancë nga shërbimet e policisë së Komisariatit nr.3. Ndaj tij, sipas burimeve të policisë, rëndon akuza e mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake. Atij i është gjetur me vete një armë pistoletë të modifikuar si çakmak, e cila nuk kishte numër serie të stampuar. Gjatë një kontrolli rutinë të shërbimeve të Komisariatit nr.3, gjatë mbrëmjes së dielës, një patrullë në rrugë, ka ndaluar një mjet me targa italiane FN 698 KY. Në makinë sipas policisë udhëtonte Klaudio Prendi, i cili ka refuzuar fillimisht kontrollin e uniformave blu që e kishin ndaluar automjetin. "Ke ndonjë send të paligjshëm në automjet", - mësohet ta kenë pyetur punonjësit e komisariatit nr.3, Prendin, ndërsa ai ka refuzuar fillimisht kontrollin. I zënë ngushtë përballë këmbënguljes së dy policëve të patrullës së përgjithshme, i dyshuari ka pranuar kontrollin me shpresën se mund t'ua hidhte pa u zbuluar. Verifikimi në makinë nuk ka zgjatur shumë dhe një prej policëve gjatë kontrollit ka zbuluar një send të vogël të çuditshëm që kishte formën e pistoletës, por që ngjante më tepër me çakmakët që kanë formën e armës. Pas një verifikimi, policët e patrullës kanë dyshuar dhe menjëherë e kanë shoqëruar në komisariat 28-vjeçarin, e arrestuar më parë për mbajtje dhe shpërndarje droge. Pas një verifikimi të thjeshtë të kryer në komisariat dhe nga ekspertët e policisë mbi sendin që mbante me vete i arrestuari, është konfirmuar se nuk bëhej fjalë për një çakmak siç dukej në pamje të parë. Sendi në fjalë, sipas ekspertëve plotësonte kushtet e një arme zjarri pistoletë, pasi ishte e mundshme që me të të realizohej qitje. Ajo është bllokuar si provë materiale nga hetuesit dhe më pas është dërguar në laboratorin qendror për ekzaminim. Pas veprimeve të kryera, blutë kanë kryer arrestimin në flagrancë të Klaudio Prendit, ndërsa më parë ai ka qenë i dënuar për shitje dhe posedim narkotikësh.              d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›