E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëzohet akuza për gjeologun e pallatit të shembur, i pafajshëm

 

GJIROKASTER - Prokuroria e Gjirokastrës pushon çështjen hetimore në ngarkim të gjeologut Thanas Llahana. Ai u arrestua së bashku me nëntë persona të tjerë të dyshuar si përgjegjës për rrëzimin e pallatit të banimit në lagjen "11 Janari", ku humbën jetën 3 persona. Sipas burimeve zyrtare nga organi hetimor, Thanas Llahana është lënë i lirë nga akuza e ngritur nga prokuroria një ditë pas tragjedisë, ajo e "shkeljes së rregullave në punë" pasi nuk u arrit të argumentohej kjo vepër penale. Shkak u bë konstatimi i grupit të ekspertëve të Prokurorisë së Gjirokastrës i ngritur posaçërisht për të parë në terren dhe në argumentet shkresore, provat të cilat do të dëshmonin më pas pafajësinë e Llahanas. Mbrojtja nga ana e saj, përfaqësuar nga Bernard Aliko edhe gjatë seancave gjyqësore të zhvilluara në shkallën e parë dhe të dytë në Gjirokastër, ka sjellë fakte për pafajësinë e gjeologut Llahana në lidhje me ngjarjen që shkaktoi tre viktima. Por krerët e seancave gjyqësore, nuk i kanë marrë parasysh këto argument duke mbështetur prokurorinë në konstatimet e veta. Sipas avokatit Bernard Aliko, prokuroria u bind për pafajësinë e gjeologut në momentin e paraqitjes së provave nga ana e grupit të ekspertëve ku ka qenë e faktuar se ai nuk kishte asnjë lloj faji në shkresat e formuluara. Thanas Llahana është liruar në mesditën e 31 dhjetorit duke iu pushuar çështja në ngarkim të tij. Në referencën e paraqitur në KRRT-në e Bashkisë së Gjirokastrës lidhur me objektin që do të ndërtohej, Llahana, kishte përcjellë objeksionet e tij dhe mënyrat e ndërhyrjes në bazamentin e tokës në thellësi. Kjo ka mjaftuar që organi i akuzës së Gjirokastrës, të pushojë çështjen në ngarkim të tij. Dje, ai është rikthyer në punë në Ndërmarrjen Gjeologjike Rajonale në Gjirokastër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›