Vrasja e Deliut, zhduken provat
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Tiranës vendosi të rikthejë në polici për plotësim me prova, dosjen hetimore të hapur për vrasjen e biznesmenit Elton Deliu. Lajmi u konfirmua nga burime zyrtare të akuzës, të cilat thanë se provat e grumbulluara nga policia në ditët pas ngjarjes, u vlerësuan nga organi i akuzës por ishin të pa mjaftueshme për zbulimin e autorit të krimit të dyfishtë. Pas këtij konstatimi procedurial, Prokuroria ka deleguar në polici dosjen për ngjarjen e ndodhur në orën 17:00 të 27 dhjetorit 2008. Atë ditë, Elton Deliu, 32 vjeç dhe nëna e tij Flutura, 52 vjeçe, u qëlluan për vdekje me armë zjarri në katin e gjashtë të apartamentit ku banonin në rrugën "Perlat Rexhepi" në Tiranë. Ekzekutorët besohet se kanë qenë të paktën dy persona që arritën të hyjnë në banesën e familjes Deliu dhe të realizojnë krimin, duke u larguar më pas pa lënë gjurmë. Burime zyrtare nga grupi hetimor i ngjarjes, konfirmuan dje për gazetën "Panorama" se delegimi i dosjes në polici dhe pamundësia për të ngritur akuzë ndaj personave konkretë, janë pasojë e zhdukjes së provave të krimit. Ekzekutorët e Elton Deliut dhe nënës së tij, dyshohet se kanë vënë në përdorim doreza plastike, duke mos lënë shenja me vlerë identifikuese në vendin e ngjarjes. Po ashtu, ata kanë ndërhyrë në njësinë qendrore të sistemit të kamerave që mbikëqyrte hyrjen e pallatit, shkallët dhe hyrjen e apartamentit të familjes Deliu. Pas vrasjes së pronarit të lokalit në afërsi të ish-ekspozitës dhe nënës së tij, hetuesit që mbërritën në vendin e ngjarjes, vrapuan te kutia e kamerave të sigurisë, me shpresën se ato kishin fiksuar pamje të vrasësve që ngjiteshin deri në katin e gjashtë tek apartamenti ku ndodheshin viktimat. Por kutia e njësisë qendrore të kamerave të vëzhgimit ishte boshatisur dhe çdo material i regjistruar aty ishte zhdukur. Një kuti e tillë mësohet se ka qenë në brendësi të apartamentit të Elton Deliut dhe vrasësit kanë ndërhyrë, duke marrë regjistrimet e kamerave, pasi kishin eliminuar dy viktimat e ngjarjes. Në këtë mënyrë, sistemi i instaluar nga vetë Elton Deliu, pak ditë para vrasjes së tij, ka dështuar në identifikimin e mundshëm të ekzekutorëve profesionistë.
Hetimi
Prokuroria dhe policia kanë realizuar një numër të konsiderueshëm veprimesh hetimore, me qëllim zbulimin e vrasësve të Elton Deliut, si dhe shkakun e kësaj ngjarje. Mësohet se është pyetur e fejuara e 32-vjeçarit, e cila ka dëshmuar edhe pse është në gjendje shtatzënie, pasi pret një fëmijë me viktimën e ngjarjes së ndodhur fundvitin e kaluar. Ajo është shprehur se ditën e ngjarjes, Eltoni nuk i ishte përgjigjur në telefon, ndaj ajo kishte shkuar në shtëpinë e tij duke gjetur kufomat përtokë. Mësohet se janë marrë në pyetje edhe katër persona, të cilët kryenin detyrën e rojave personale të Elton Deliut gjatë lëvizjeve të tij në Tiranë. Policia dhe Prokuroria kanë realizuar këqyrjen e telefonit të viktimës, pyetjen e banorëve të pallatit dhe të zonës si dhe një sërë verifikimesh të tjera për persona të dyshuar. Hetuesit kanë rihapur dosjet penale të disa ngjarjeve të ndodhura në vitin 1998 dhe 2005, kur Elton Deliu është qëlluar me armë zjarri nga disa persona që kanë tentuar të vrasin por pa rezultat. Sipas Prokurorisë, mësohet se hetimet janë përqendruar në disa pista duke përjashtuar si shkak të ngjarjes konfliktet e pronësisë. Versionet më të besueshme të hetimit, lidhen me një atentat të organizuar nga njerëzit që edhe më parë tentuan ta vrisnin Elton Deliun por që dështuan falë kombinimit rastësor të rrethanave dhe fatit të 32-vjeçarit me precedentë të shumtë penalë.
Ekzekutimi, hetohet larja e hesapeve
TIRANE - Pista kryesore e ngritur nga policia dhe Prokuroria për vrasjen e Elton Deliut dhe nënës së tij, është ajo për një vrasje me qëllim larjen e hesapeve. Flutura Deliu, nëna e 32-vjeçarit dyshohet se u ekzekutua vetëm për shkak, se e ndodhur në shtëpinë e saj, u bë dëshmitare e vrasjes mafioze. Ndërkaq djali i saj Eltoni, sipas policisë dhe Prokurorisë, ishte gjendur edhe më parë në kryqëzimin e disa konflikteve të ashpra me persona të tjerë. Mosmarrëveshje të tilla sipas hetimeve kanë ardhur si pasojë e pazareve të pa mbyllura që lidhen me trafikimin e drogës. Në të paktën dy raste të tilla, policia dhe Prokuroria e kanë skeduar Elton Deliun si person të implikuar.
Delegimi i dosjes
Kodi i Procedurës Penale i jep të drejtën Prokurorisë të vlerësojë provat e paraqitura nga policia gjyqësore në lidhje me një ngjarje të caktuar. Pas vlerësimit të provave, nëse ato mjaftojnë, Prokuroria ngre akuzë ndaj autorit të krimit, por nëse provat dhe faktet konsiderohen të pamjaftueshme për ngritjen e akuzës, atëherë dosja delegohet në polici. Një veprim i tillë nënkupton kryerjen e veprimeve hetimore shtesë me qëllim zbulimin e dëshmive, provave dhe fakteve që ndihmojnë në zbardhjen e autorëve dhe shkaqeve të krimit objekt hetimi. Në rastin e dosjes për vrasjen e Deliut, policisë i është kërkuar të pyesë mbi 15 persona, si dhe të realizojë disa veprime që konsiderohen sekret hetimor.