E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët spektakël policisë në Itali

 

ITALI - Mund të kishte përfunduar në tragjedi "krenaria e tepërt" e një adoleshenti shqiptar në Prato të vendit fqinj. Me 4 minorenë të tjerë në bordin e autoveturës që drejtonte, e cila ishte e vjedhur, një 16-vjeçar shqiptar është bërë protagonist i një ndjekjeje spektakolare policore mesnatën e të dielës. Sipas policisë italiane, autovetura është parë të lëvizte me shpejtësi të lartë në rrugët e qytetit, duke krijuar rrezikshmëri për automjetet e tjera. Kjo ka tërhequr vëmendjen e policisë, e cila i ka kërkuar të ndalojë, por drejtuesi i automjetit e ka injoruar urdhrin. Uniformat i janë vënë në ndjekje automjetit tip "Opel Corsa", i cili më pas ka rezultuar i vjedhur dhjetorin e vitit të kaluar. Pas disa orvatjesh për t'i shpëtuar kapjes, automjeti ku udhëtonin adoleshentët është përplasur me një tjetër dhe është përmbysur. Pas përmbysjes, drejtuesi i automjetit dhe një tjetër, të dy shqiptarë, janë larguar duke i shpëtuar policisë. Ndërsa "pasagjerët", dy minorenë italiane 13 dhe 14 vjeçe dhe një 16-vjeçar shqiptar, janë shoqëruar nga policia dhe më pas iu janë besuar prindërve të tyre. Për policinë ata kanë rrëfyer se nuk e dinin që makina ishte e vjedhur dhe se miqtë e tyre u kishin ofruar një xhiro.         ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›