Avokatët e Fazlliç nga SHBA: Jo ndërhyrje politike
TIRANE - Avokatët amerikanë të biznesmenit serbo-boshnjak Damir Fazlliç, të akuzuar në Tiranë për “pastrim parash”, gjatë një konference për shtyp të dhënë ditën e djeshme, pohuan se politika ishte përfshirë në çështjen ndaj klientit të tyre. Pasi lexuan deklaratën e tyre të shkurtër në vetëm pak rreshta, avokatët refuzuan t’u përgjigjeshin pyetjeve të gazetarëve. “Kemi ardhur në Shqipëri për t’i shqyrtuar këto akuza, të cilat zoti Fazlliç i ka marrë me shumë seriozitet. Gjatë katër ditëve të fundit, ne kemi mbledhur dokumente të nevojshme, kemi intervistuar disa persona dhe jemi takuar me një sërë individësh”, pohuan dy avokatët e mbërritur nga Uashingtoni për të mbrojtur Fazlliç, Eduard Ross dhe Andrew Cocoran. Këta ndodhen prej pesë ditësh në kryeqytet, ndërsa i ka pajtuar biznesmeni Fazlliç për të ndihmuar avokatin shqiptar në çështjen që ka nisur Prokuroria e Tiranës në ngarkim të tij. Kështu gjatë këtyre ditëve, siç e pohuan edhe vetë avokatët amerikanë, kanë takuar një sërë personash dhe janë njohur me mjaft dokumente shkresore. Gjatë konferencës që u zhvillua në mjediset e hotel “Sheraton”, avokatët pohuan gjithashtu se janë takuar edhe me prokurorët e çështjes me të cilët kanë diskutuar mbi akuzën ndaj klientit të tyre dhe provat e grumbulluara në ngarkim të tij. “Na u dha gjithashtu mundësia për t’u takuar këtu në Tiranë me prokurorët e caktuar për të hetuar akuzat e publikuara nga media shqiptare”, pohuan avokatët Ross dhe Cocoran. Duke vazhduar avokatët thanë më tej: “Krijuam mendimin se prokurorët janë të sjellshëm e profesionistë dhe ata na siguruan se hetimi do të zhvillohet në mënyrë të paanshme, objektive e të shpejtë dhe se do të vendoset duke u bazuar vetëm mbi faktet. Kemi besim se prokurorët do të veprojnë me ndershmëri dhe do t’u përmbahen detyrimeve profesionale”. Pas kësaj deklarate avokatët u larguan, duke mos preferuar të jepnin shpjegime për pyetjet e drejtuara nga përfaqësuesit e mediave. Dy avokatët, të cilët janë përfaqësues ligjorë të firmës ndërkombëtare me qendër në Uashington, gjatë konferencës së tyre të shkurtër nuk dhanë asnjë shpjegim lidhur me akuzat konkrete ndaj klientit të tyre. Të paktën Prokuroria pak ditë më parë ka pohuar se ka verifikuar se Fazlliç ka kryer një transfertë bankare prej 1.7 milion euro mes dy kompanive të tij. Ndërsa më tej pohohet se është publikuar se Fazlliç ka blerë një sipërfaqe toke bujqësore në Porto Romano, për të cilën nuk jepen fondet me të cilat e ka blerë. fa.ma.