E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama-Berisha luajnë doktorash…

Brizida Gjikondi 

Ka qenë një këngë në kohën e Enverit që pak a shumë bënte kështu  ...“topa bore hedhin shokët tanë…” s’di pse po pikërisht kështu më ngjason dhe “konflikti” light që po konsumohet mes Ramës dhe Berishës.
“Konflikt”, i cili s’ka të bëjë fare me një kundërvënie konceptuale dhe shtetare mes dy liderëve opozitarë. Zotin Rama dhe stafin e tij e ka vënë poshtë anemia në të bërit opozitë, anemia ndjehet që në zë, që në mimikë dhe deri në kritikat kaotike pa rrugëzgjidhje dhe pa alternativë që ai dhe ata emetojnë. Kaosi dhe mendjelehtësia në trajtimin që i bën Rama opinionit shqiptar s’po e lënë këtë lidership light të ofrojë dhe të bindë mbarë shqiptarët përtej të majtës dhe të djathtës se ai është BURRE SHTETI dhe ndërmerr realisht hapa konkretë dhe ligjorë që një antishtetari si Berisha t’i shkurtohen orët e mafies. Deri më tash zoti Rama nuk ka ndërmarrë asnjë hap serioz që të justifikojë të qenit kreu i një partie të majtë. Kurrsesi ai s’mund të vazhdojë të fshihet mbrapa gishtit dhe zërit të Erionit dhe Taulantit, kurrsesi ai s’mund të bëjë “djalin e mirë” se mes të qëlluarit me gurë Kryeministrisë dhe të bërit opozitën light me supe në xhamat e dyerve të PS-së ai zgjedh të dytën. Që kur zoti Rama percepton se ai është MESIA dhe përballë ka një tufë njerëzish që s’dinë se si bëhet opozitë ligjore, parlamentare dhe konstruktive?!! Zoti Rama dhe ata rreth tij dinë mirë se kush janë format kushtetuese dhe parlamentare për të larguar një antishtetar par excellence siç është Kryeministri Berisha. Çfarë duhet të bëjë më shumë Berisha me shqiptarët, institucionet, dinjitetin, pronat, jetët e tyre që ta meritojë largimin?!! Para 2 muajsh kur lideri i LSI-së, Meta, i dha tolerancën dhe kohën 0 Berishës për të vazhduar së konsumuari antipushtet, lideri i PS-së, z. Rama ia ofroi të 40-at (ditët), por ditët kaluan dhe ai harroi… harroi pasi ç’ka e lidh me Berishën është shumë më shumë se ç’ka e ndan. Ose më qartë tashmë ata si ndan më asgjë. Si ndan Kushtetuta, si ndan Delijorgji, si ndan Liqeni Artificial e s’po i ndan as manipulimi morboz që po i bëjnë Kodit Zgjedhor dhe KQZ-së. Doja të saktësoja se pikërisht Kushtetuta, manipulimi i saj i nxituar dhe i njëjti fenomen që ka pushtuar dhe Kodin Zgjedhor vërtetojnë këtë lavatriçe mafioze që riciklohet mes dy qenieve që rastësisht janë në krye të së majtës dhe së djathtës shqiptare, pasi absolutisht nuk kanë të bëjnë me to. Rama dhe Berisha në mënyrë të koordinuar luajnë opozitarin kundrejt njëri-tjetrit në ekranet televizive shqiptare, por kurrsesi s’godasin në mënyrë institucionale njëri-tjetrin. Asnjëherë Berisha nuk ndërmori një hap konkret dhe ligjor kundrejt aferave të Ramës dhe pse çdo ditë të Perëndisë e akuzon për to. Rama po ashtu asnjëherë nuk ndërmori një hap konkret kundrejt Kryeministrit më agresiv që kanë patur shqiptarët. Mos harrojmë se zoti Rama e ka për detyrë të bërit opozitë dinamike dhe ligjore. Sado ai të kërkojë të promovohet nga politikanë, tashmë jo më rezultativë të së majtës italiane, kjo s’e bën atë t’i shpëtojë përgjegjësive dhe bashkëfajësisë konkrete që ka për jetëgjatësinë e Berishës si Kryeministër i shqiptarëve, pasi çdo orë e Berishës në krye të shtetit është një orë më pak në jetët dhe ardhmërinë tonë. Tashmë që po mbyll këto rreshta dëgjoj se Xhafa dhe Rusmajli, pavarësisht dënimit publik që i bënë partitë dhe liderët e tyre fenomenit të Dushkut, pavarësisht se ndryshimet kushtetuese të 21 Prillit i kamufluan në emër të luftës kundër Fenomenit të Dushkut, KANE vendosur që KQZ-në ta konceptojnë duke u orientuar nga rezultatet e Dushkut 2005..?!!
Shumë fëmijë, pjesë të lojërave të tyre, kanë pasur dhe të luajturit shtëpiash dhe doktorësh, duket që Berisha dhe Rama kërkojnë ta konsumojnë tani atë lojë, por fatkeqësisht s’është lojë dhe akoma më fatkeqësisht pacientët janë mbarë shqiptarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›