E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një nobelist “anti-krizë”

ADRIAN CIVICI 

Në kulmin e krizës të frikshme financiare që po kalon gjithë globi, krizë që po hedh shumë re të zeza mbi të ardhmen e ekonomisë botë-rore, ishte më se e natyrshme që të pritej me shumë interes emri i atij që do nominohej me çmimin prestigjioz “Nobel në ekonomi”. Dhe me sa duket, mesazhi dhe vlerësimi i Akademisë Mbretërore Suedeze ishte në drejtimin që pritej. Çmimi Nobel 2008 kurorëzoi ekonomistin amerikan Paul Krugman, një nga kritikët më të mëdhenj të politikës ekonomike e financiare amerikane të Presidencës Bush, një ekonomist i njohur dhe identifikuar gjerësisht si “neo-keynes-ian dhe përkrahës i teorisë së nevojës së ndërhyrjes së shtetit për të rregulluar devijimet dhe çrregullimet e tregut”. Profesori i shquar i universitetit të Princeton-it, MIT Boston dhe editorialist i spikatur i “New York Times”, u laureua veçanërisht për punimet e tij në lidhje me tregjet dhe tregtinë ndërkombëtare.
E veçanta e Paul Krugman-it nuk qëndron thjesht te vlerat si ekonomist me përmasa ndërkombëtare apo si autor i studimeve e librave që sot janë pika referimi për ekonomistët dhe lexuesit e mbarë botës. Vlera e veçantë e tij qëndron në faktin se Krugman bën pjesë në një grup shumë të vogël studiuesish që e kanë “parashikuar” rrezikun e krizës financiare aktuale duke evidentuar dhe faktorët që e shkaktojnë atë. Për të gjithë lexuesit, politikanët dhe analistët tashmë vlerësohet si profetik libri i Krugman-it i botuar në 2001 me titullin tundues “Rikthimi i ekonomisë së depresionit. A po shkojmë drejt një krize të re si ajo e 1929?”. Fatkeqësisht Krugman nuk u dëgjua. Kritikët e tij i kujtonin shpesh jo pa ironi një shprehje se “ekonomistët kanë meritën e veçantë që të parashikojnë 10 kriza nga 5 të mundshme që vërtet mund të ndodhin”. Por Krugman vërtetoi se kishte qenë totalisht i saktë që para shtatë vitesh, kur analizat dhe këndvështrimet e tij e çuan në përfundimin se “një situatë e ngjashme me krizën më të madhe që ka njohur deri tani sistemi kapitalist, atë të viteve 1929-1933, ne mund të na prekë përsëri”. Fatkeqësisht u provua se ai kishte të drejtë.
Paul Krugman është sot një nga ekonomistët më të lexuar të botës. Në radhë të parë, sepse “ai ndryshoi mënyrën se si ekonomistët mendonin dhe vlerësonin globalizimin”. Mbas publikimit të librave të tij, studimi i ekonomisë ndërkombëtare nuk është më si më parë. Krugmani argumentoi se globalizimi nuk duhet parë as si “një fenomen që sjell vetëm mrekulli, dhe as si një demon që sanksionon disa vende e popuj në favor të disa të tjerëve”. Përkundrazi, ajo që rezulton si thelbësore është fakti se “globalizimi duhet parë në tërë kompleksitetin e tij... se bota e globalizuar është më e ekspozuar ndaj krizave... se, si të mirat, ashtu dhe goditjet nga globalizimi duhen parë të personalizuara” në kontekstin dhe përmasat e aktorëve ekonomikë, qofshin këto edhe shtete apo rajone të veçanta. Teoricien i globalizimit dhe tregtisë ndërkombëtare, por jo mbështetës i politikave të barrierave doganore, Krugman është gjendur shpesh nën shënjestrën e sulmeve të ekonomistëve liberalë e ultra-liberalë. Debatin e tij kryesor ai e ka bërë në mbrojtje të tezës “së konkurrencës në tregjet globale”, duke goditur veçanërisht pikëpamjen se në këto tregje gjithçka zhvillohet në kushtet e një konkurrence perfekte. Krugman dëshmoi në analizat e tij se shumë shpesh “në treg dominojnë oligopolet”, të cilat ndjehen të mbrojtura nga politika dhe bëjnë gjithçka për të mos u perceptuar qartë nga konsumatorët, të cilët paguajnë fitimet e tyre kolosale. Këtu fillon dhe vëmendja apo roli i veçantë që Krugman i atribuon Shtetit dhe mënyrave të ndërhyrjes së tij në ekonomi në favor të eliminimit të çrregullimeve strukturore dhe mbrojtjes së konsumatorëve.
Po pse Krugman-i? dhe pse pikërisht tani, në kulmin e krizës globale? Mos vallë ngaqë ai konsiderohet si një nga ekonomistët më aktivë “anti-Bush”? Shumë personalitete që e njohin nga afër mënyrën se si vepron dhe vendos Akademia Mbretërore Suedeze kur atribuon çmimin Nobel, shprehen të bindur se një paralelizëm i tillë as që duhet menduar. Përkundrazi, ata mendojnë se shkaku kryesor i kurorëzimit të Krugman-it, është se sot, më shumë se kurrë, kriza e thellë financiare ka rihapur disa debate e dilema “të konsideruara të vjetra” apo “jashtë modës”. Krugmani studioi në detaje “se si mund të lindin në mënyrë të papritur krizat edhe atje ku për një kohë të gjatë gjithçka duket e stabilizuar”... se si “situata apo sinjale ekonomiko-financiare që konsiderohen të tolerueshme dhe të padëmshme, mund të bëhen dramatike”. Dhe, në këto raste, “recetat” e tij kanë qenë mjaft “ortodokse”: ndërhyrja e qeverisë dhe Shtetit është e domosdoshme, por ajo duhet të jetë njëkohësisht dhe shumë e besueshme”. Sipas Krugman-it, “Plani Paulson në SHBA dhe në mënyrë të veçantë, ndërhyrja e qeverive evropiane janë zgjidhja më e mirë për përballimin pa shumë dhimbje të krizës aktuale që ka përfshirë tregjet financiare dhe financat globale”.
Në gjuhën e politikanëve, në masmedia, revista të specializuara, bile dhe në debatet e përditshme të shumë njerëzve po përdoren terma e koncepte që dukej sikur i takonin historisë apo ishin thjesht diskutime teorike. “Rikthimi triumfal i Keynes-it”, “Kapitalizmi shtetëror në revansh”, “Monetarizmi drejt muzeut historik”, “Liberalizmi i paralizuar”, “Kapitalizmi anglo-sakson në pikëpyetje”, “Ëndrra amerikane apo zgjimi i trazuar amerikan?”, “Reegan-dhe Thatcher: gabimet e mëdha”, “Fundi i kapitalizmit” etj., janë disa prej tyre. Ç’po ndodh që gjithçka e servirur dhe mbrojtur si premisa dhe faktori i suksesit në fushën e zhvillimit ekonomiko-financiar po vihet në dyshim? Kriza financiare dhe frika e përhapjes së saj në ekonominë reale është tmerrësisht e madhe. Po në ato përmasa po kërkohet dhe fajtori apo kurbani i saj. Dhe për momentin duket sikur është gjetur. Fajtori quhet KAPITALIZËM. Faji kryesor: zakone dhe sjellje tejet liberale. Dënimi: kontroll i rreptë dhe ndërhyrje shtetërore për disiplinimin e tij.
Fundi i kapitalizmit? Aspak, krejt e kundërta! Falimentimi i bankave apo kompanive të mëdha financiare është në fund të fundit “një sanksion i tregut”. Nëse një biznes bën gabime ai është i destinuar të falimentojë dhe të zëvendësohet nga biznese të tjerë më efektivë. Në gjuhën ekonomike kjo quhet “shkatërrimi krijues” dhe është burimi i dinamizmit dhe eficiencës së ekonomisë së tregut. Kriza e Wall Street-it sinjalizon triumfin e kapitalizmit dhe rigjenerimin e sistemit bankar. Bankat e reja që priten të lindin kanë tashmë një mësim më shumë për ta pasur në konsideratë: të mos bëjnë gabimet e tanishme të homologeve të tyre. Fundi i “laisez-faire” apo liberalizmit dhe rikthim i regulacionizmit apo planifikimit të centralizuar? Gjithçka duket shumë larg kësaj ideje. Funksionimi i bankave dhe profesioni i bankierit është nga më të rregulluarat e kontrolluarat, por kriza aktuale dëshmoi se ky rregullim u zbatua keq ose nuk u zbatua fare. Marrëveshja ndërkombëtare mbi rregullat e supervizionit bankar e quajtur “Bazel 2” nuk është zbatuar si duhet ose është zbatuar pjesërisht, pa përjashtuar këtu konkluzionin e mjaft ekspertëve se “ajo ishte e paplotë dhe kushtet e reja kërkojnë një Bazel 3” me shtrirje dhe efekte më globale. Një financier i shquar, Charles Wyplosz shprehet se në “këtë rast, paaftësia jonë është më fajtore se sistemi që po anatemojmë”. Një rregullim dhe kontroll cilësor i bankave kushton shtrenjtë. Por në fund të fundit ky është një çmim që tregu kërkon që të paguhet për të pasur “produkt” cilësor. Ch.Wyplosz thotë se “ne iu shmangëm kësaj pagese ose nuk e bëmë atë të plotë... dhe pasoja erdhi... edhe këtë radhë tregu na ndëshkoi”.
Pikërisht në këtë situatë të komplikuar qëndron dhe merita e Krugman. Ai është përkrahës i tregut të lirë po aq sa është dhe partizan i realizimit nga ana e Shtetit të disa ndërhyrjeve e funksioneve bazë në ekonomi. Nuk ka nevojë të presim që tregu të na ndëshkojë, bile rëndë si tani. Krizat duhen pranuar se mund të ndodhin, por njëkohësisht qeveritë duhet të jenë prezente e rigoroze jo vetëm në supervizionin konstant të tregut, jo vetëm në garantimin e transparencës dhe ndershmërisë së tij, por mbi të gjitha në ndërhyrjen e tyre aktive e masive në pikat dhe situatat delikate të prodhuara prej tij në momente. “Paketa anti-krizë Paulson” në SHBA, vendimet e G 7 dhe G 20 si dhe plani i qeverive evropiane për eliminimin e krizës, duket se janë prova më e mirë për këtë. Ky është “mësimi” për të cilin duket se u laureua me çmimin Nobel Paul Krugman-i.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›