E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shitjet si e Damir Fazlliç,sinjal për pastrim parash”

 

Prokurori federal amerikan Xhimi Gurule nuk e përjashton mundësinë që shitja e kompanisë së Damir Fazlliç të jetë një rast i pastrimit të parave. I ndodhur në Tiranë për një kurs trajnimi me prokurorët dhe hetuesit e Njësisë Task-Force Kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, prokurori amerikan ka dhënë komentet e tij lidhur me çështjen e shumëpërfolur të bizneseve që 33-vjeçari boshnjak zotëron në Shqipëri. Prokurori feredal Xhimi Gurule është një nga hartuesit e strategjisë për parandalimin e pastrimit të parave në SHBA, ai ka titullin profesor në këtë fushë, ka ushtruar detyrën e nënsekretarit të Departamentit të Thesarit gjatë administratës së Presidentit Bush, por ka qenë edhe zv.prokuror i Përgjithshëm në Shtetet e Bashkuara. Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, prokurori amerikan dha një intervistë për “Top Channel”, ku lidhur me dosjen “Fazlliç” shprehet duke thënë se “sigurisht nuk jam ekspert për këtë rast. Është e pamundur pas vetëm dy ditësh këtu, por kam një kuptim të përgjithshëm të pretendimeve dhe fakteve të përfshira. Për sa i përket atyre që kam mësuar, sidomos pretendimet për shitjen dhe blerjen e korporatave fiktive, korporatave të rreme që nuk kanë vlerë apo qëllim ekonomik, nga përvoja ime, kjo përbën një flamur të kuq alarmi që njofton pastrim parash. Këto lloj kompanish fiktive shpesh përdoren nga kriminelët për të pastruar para. Edhe një herë shenja të tilla përbëjnë flamuj të kuq alarmi për pastrim parash”. Sipas hetimeve të deritanishme të Prokurorisë shqiptare, njëra nga kompanitë që Damir Fazlliç zotëronte në Shqipëri pas vitit 2005, subjekt që nuk kishte deklaruar asnjë aktivitet apo fitim, i është shitur për 1.7 milionë euro një subjekti me qendër në Qipro.
Kritikat e SHBA
I pyetur për deklaratat e ambasadorit amerikan në Tiranë, Withers, për ndërhyrjet e qeverisë në punët e drejtësisë, prokurori Gurule nga SHBA përgjigjet: “Së pari, ambasadori Withers ishte shumë i qartë dhe shumë i fuqishëm në deklaratat e tij për sa i përket ndërhyrjeve në punën dhe përgjegjësitë e prokurorëve. Qartësisht, kjo është një çështje serioze që përbën shqetësim serioz për ambasadën e SHBA-ve si dhe për qeverinë amerikane”.
Pastrimi i parave
Prokurori federal amerikan ka pasur një sërë takimesh me prokurorët dhe hetuesit shqiptarë, si dhe me përfaqësues të institucioneve shqiptare të kësaj fushe. Pas këtyre takimeve prokurori amerikan Gurule bëri publike edhe “këshillat” që i dha njësisë Task-Force për të luftuar pastrimin e parave, korrupsionin dhe krimin e organizuar. Sugjerimi më i rëndësishëm për ndarjen e informacionit mes të gjithë komponentëve, hetuesve dhe bankave. “Ajo që më la më shumë përshtypje në takimet dhe bisedat me anëtarët e Task Forcës ishte që e kuptojnë rëndësinë që ka ndjekja e parasë. E kuptojnë sa shumë vlerë ka për të qenë në gjendje të ndjekësh shtegun që ndjek paraja, kapja e aseteve të pastruesve dhe konfiskimi i tyre nga shteti. Për sa i përket trajnimit, nuk ka dyshim që hetimet e rasteve të pastrimit të parave janë më të vështirat nga të gjitha hetimet kriminale. Ato kërkojnë një mendësi të caktuar, kërkojnë trajnim të posaçëm, kërkojnë aftësinë për të analizuar regjistra financiare, të dhëna kompjuterike, për të lidhur bashkë modele transaksionesh mes bankave në Tiranë si dhe bankat e huaja. Eshtë një punë shumë e vështirë”, theksoi prokurori federal amerikan Xhimi Gurule.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›