Rama: Berisha të ikë dhe nga politika
Aristir Lumezi
Kryetari socialist Edi Rama kërkoi sërish dje dorëheqjen e Kryeministrit Berisha, madje dhe largimin nga politika. Sipas kryesocialistit, kjo është zgjidhja më e mirë për situatën konfliktuale, ku ka hyrë vendi muajt e fundit. Këtë deklaratë, Rama e bëri gjatë një komunikimi me mediat. “Kjo është arsyeja e mjaftueshme për t’i rikërkuar Sali Berishës dorëheqjen, në mënyrë që të ulë koston e vijimësisë qeverisëse në këto muaj dhe njëkohësisht për t’ju kërkuar shqiptarëve, që përgjigjen negative lidhur me këtë kërkesë, ta shënojnë në arsyet pse Sali Berisha duhet të largohet me votë dhe jo vetëm nga qeveria, por edhe nga politika”, tha Rama. Sipas tij, nuk mund të qeveriset më me një ish-sekretar të Partisë së Punës, “që është i vetmi së bashku me ata nostalgjikët vulëhumbur, që i kujtohet ditëlindja e Enver Hoxhës”. Më tej, kreu socialist tha se ankesat dhe akuzat ndaj qeverisë vijnë nga të katër anët, ndaj e ka cilësuar si skandaloze mosreflektimin e Berishës. Rama tha se është e patolerueshme rruga e konfliktit, që po ndjek kryeministri i vendit. Sipas Ramës, “Sali Berisha gënjen për të njëjtën arsye që ne të tjerët marrim frymë. Njerëzit marrin frymë për të jetuar, Sali Berisha gënjen për të mbijetuar”. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u bëri të ditur të gjitha subjekteve politike se, në rast se bashkohen me të në garën elektorale, ajo do të jetë lokomotiva. Në një komunikim me mediat, Rama kërkoi sërish dorëheqjen e kryeministrit të vendit Sali Berisha. Sipas tij, për të qenë një parti e mirëfilltë politike, një parti duhet të jetë një alternativë qeverisëse. “Ne po i japim politikës këtë dimension, që të mos mbulohet nga tymi i fabrikimit politik për përfitim politik. Opozita që bën PS-ja është emancipuese, rrugë e re për të hapur një mundësi të re. Nuk është detyra jonë të investigojmë dhe ngremë akuza, por të reagojmë me çfarë ngrenë në dritë burimet e pavarura”, tha Rama. Kreu socialist tha dje se opozita që po bën PS-ja është ajo që i duhet vendit, krejt e kundërta nga modeli i opozitës së Sali Berishës. “Opozita që i duhet vendit është opozita që bëjmë ne, Partia Socialiste, të vendosur në rrugën tonë për të ndryshuar politikën, sepse duke ndryshuar politikën mund të ndryshojmë qeverisjen, mund të ndryshojmë Shqipërinë”, tha Rama. Pak ditë më parë, kryetari socialist i kërkoi për herë të parë Kryeministrit Berisha dorëheqjen, brenda një klime presioni dhe nga faktori ndërkombëtar. Ka qenë ambasadori amerikan Uidhers, i cili ka qenë mjaft kritik ndaj Kryeministrit Berisha.