E Shtunë, 31 Tetor 2026

Titujt e pronësisë, si do të rishikohen

 

BLEDAR HOTI

Qeveria përcakton mënyrat se si komisionet vendore do të verifikojnë titujt e pronësisë në 12 qarqet e vendit.Në një vendim të marrë ditët e fundit, Qeveria ka përcaktuar rrugën e procesit të verifikimit të pronësisë për tokat bujqësore, ku Komisionet Vendore të Vlerësimit të Titujve të Pronësisë do të jenë në varësi të prefektit të qarkut. Vendimi i Qeverisë mban numrin 1269 dhe është marrë më 17 shtator 2008. KVVTP-të do të kenë përbërje deri nga 3 deri në 7 anëtarë dhe duhet që të paktën brenda tyre të ketë juristë, sipas numrit të tyre. Nëse do të ketë një komision prej 7 anëtarësh, në bazë të vendimit të Qeverisë, 3 prej tyre duhet të jenë juristë. VKM-ja e qeverisë përcakton se vendimet e komisioneve vendore duhet të merren me mbi 50 për qind të votave të anëtarëve, ndërsa prefekti nuk ka të drejtën e votës. Përfaqësuesi i qeverisë në qarqe, edhe pse nuk merr pjesë në votim, mban përgjegjësi për mbarëvajtjen e procesit dhe respektimin e procedurave. Prefekti mund të mos e firmosë urdhrin me drejtorin së bashku me drejtorin e komisionit, duke pasur të drejtën që ta ankimojë pranë Komisionit Qeveritar të Tokës, që kryesohet nga zv.krye-ministri Genc Pollo.
Verifikimi i titujve
Komisioni Vendor do të verifikojë të gjitha vendimet e dhëna këto 16 vite nga ish-komisionet e tokës së fshatit, komunës/bashkisë, si dhe komisionit të tokës së qarkut për ndarjen e tokës bujqësore. Pas këtyre shqyrtimeve, ky komision merr vendim për saktësimin e kufijve të tokës bujqësore ose të individëve të një fshati, brenda juridiksionit të një qarku, rretheve. Gjithashtu komisioni vendos dhe për konfliktet ndërmjet familjeve bujqësore ose individëve të një fshati, si dhe ndërmjet tyre dhe ish-komisioneve të ndarjes së tokës. Aktet e pronësisë vlerësohen ligjërisht në këto raste: 1) kur vërtetohet se më 01.08.1991 personi me të cilin i lëshohet akti i marrjes së tokës në pronësi ka qenë anëtar i kooperativës bujqësore, si dhe plotëson kriteret e përcaktuara në VKM e vitit 1991, me numër 255; 2) verifikohet se sipërfaqja, për të cilën më datë 01.08.1991 është lëshuar akti i marrjes së tokës në pronësi figuron në regjistrat e kadastrave si tokë bujqësore; 3) madhësia e sipërfaqes së dhënë është e mirëllogaritur si prodhim i normës për frymë të fshatit me numrin e frymëve të familjes, gjendje më 01.08.1991, në regjistrin e zyrave të gjendjes civile”. Vendimet e Komisioneve Vendore për rishikimin e titujve të pronësisë, përveç paraqitjes në gjykatë, depozitohen dhe pranë zyrës vendore të Avokaturës së Shtetit, si dhe Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit për dijeni. Komisioni vendor rishqyrton në mënyrë administrative të gjitha konfliktet dhe mosmarrëveshjet ndërmjet palëve, në rastet kur kjo është kërkuar me vendim të formës së prerë nga ana e gjykatave. Brenda 20 ditëve, Komisioni Vendor merr vendimin përfundimtar për zgjidhjen e konfliktit dhe ua bën të ditur palëve. Ndërsa për tokat e krijuara të lira nga rishqyrtimi i titujve të pronësisë, KV-ja harton një procesverbal të veçantë, ku pasqyrohet vendndodhja e tokës, numri kadastral sipas regjistrit të SAMT-së. Ky procesverbal i dorëzohet SAMT-së së qarkut, i cili më pas vë në dijeni institucionet përkatëse.

Kur titujt e pronësisë janë të rregullt

1) Kur vërtetohet se më 01.08.1991 personi me të cilin i lëshohet akti i marrjes së tokës në pronësi ka qenë anëtar i kooperativës bujqësore, si dhe plotëson kriteret e përcaktuara në VKM e vitit 1991, me numër 255;

2) Verifikohet se sipërfaqja për të cilën më datë 01.08.1991 është lëshuar akti i marrjes së tokës në pronësi figuron në regjistrat e kadastrave si tokë bujqësore;

3) Madhësia e sipërfaqes së dhënë është e mirëllogaritur si prodhim i normës për frymë të fshatit me numrin e frymëve të familjes, gjendje më 01.08.1991, në regjistrin e zyrave të gjendjes civile.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›