Shpjegim i thjeshtë për “…ishull-in” e Blushit
HENRI ÇILI
Nuk mund të mos e lexosh librin e Blushit “Të jetosh në ishull” Sepse evidenca e tij publike është e tillë që, duhet të shohësh se si mund të performojë edhe me një roman, një politikan i dorës së parë në politikën shqiptare. Projektimi publik i tij është intrigues; student i dhjetorit, gazetari më i mprehtë i viteve ‘90-të të shtypit të lirë shqiptar. Po ashtu media, për muaj të tërë, e kishte përditë në fokus librin dhe debatin rreth tij. Por deri këtu nuk kemi mbërritur në thelbin e romanit të Ben Blushit. Të gjitha këto, janë si të thuash erëra që të drejtojnë për një kalim të “detyruar” në “……ishull-in” e Ben Blushit.
Por, suksesi i romanit të Blushit, është mjaft thjesht i shpjegueshëm përkundrejt mundimit me të cilin kritizerët përpiqen të pranojnë suksesin e këtij libri, vetëm si efekt mediatik, apo përkundrejt atyre që mbështeten vetëm te cilësia letrare e romanit në vetvete. Në fakt është kombinimi i të dyjave.
Romani i parë i Ben Blushit, pas sprovave të tij fillestare, në fillim të viteve ‘90-të, si student-letrar; rezultoi tejet i suksesshëm, as vetëm për shkak të mediatizimit, as vetëm për shkak se libri është mjaft cilësor. Mediatizime pa sukses ka plot, libra mjaft të mirë pa mediatizim ka edhe më shumë. Kombinimi i këtyre të dyjave ishte suksesi i vërtetë e romanit “Të jetosh në ishull”, i cili, gjashtë muajt e parë të botimit regjistron mbi 15 mijë kopje të shitura. Shifër e padëgjuar në një vend me një të tillë kulturë të leximit të librit, me një të tillë infrastrukturë të përhapjes dhe promovimit të librit.
“Të jetosh në ishull” na intrigoi të gjithëve. Në radhë të parë ne, miqve të tij, të cilët po kërkonim dhe prisnim arsyet e “zhdukjes” gjashtëmujore të politikanit të lartë të Partisë Socialiste, pas korrikut të 2007-ës deri në pranverën që pasoi. Dhe e gjetëm tek një roman–sagë, roman voluminoz dhe i shkruar mjaft bukur, tamam si ato libra, të cilët lexohen pa ndërprerje. Në radhë të dytë, të gjithë ata që emri i Ben Blushit i intrigon për së largu si një personazh mediatik, politik e publik, që prej fillimeve të shtypit pluralist në këtë vend, e deri tek angazhimi i tij politik, për të parë se si një politikan mund të shkruajë një roman në kushtet kur është dhe pjesë e politikës aktive. Të tretët që e lexuan këtë roman ishin të gjithë ata faktorë të shoqërisë, zëra publikë të rangut të parë, që nga kryeministri Sali Berisha e deri te personazhe të dorës së dytë, të tretë e të katërt, për të kundërshtuar apo miratuar provokimin intelektual dhe kulturor që ky libër premtoi se do të kishte, dhe që e bëri. I fundit, por jo nga rëndësia, ishte publiku i gjerë, i cili nën pasojën e efektit kaskadë të opinionit të tre kategorive të mësipërme, e tërhoqi këtë libër në një tirazh të jashtëzakonshëm.
Kur ka përfunduar vala e parë e shkrimeve, komenteve, intervistave, replikave dhe debateve mbi romanin e Ben Blushit, i cili numëron një shifër të paparë, ajo që mund të thuhet për grupin e parë të atyre që u ekzaltuan nga romani i Ben Blushit dhe ekzaltuan atë si roman bashkë autorin e tij, është fakti se libra të tillë, megjithëse jo të shumtë, pak më cilësorë apo fare pak më pak cilësorë se ky libër, ka disa. Por jo të gjithë kanë pasur mundësinë të vendosin atë komunikim që vendosi romani dhe autori i tij me mediat, dhe përmes tyre me publikun e gjerë. Ndaj libra të tillë fatkeqësisht mbeten të izoluar, komunikojnë pak, komunikojnë në grupe të ngushta dhe ndoshta do t’i duhen historisë së letërsisë shqipe dhe kritikëve të lartë. Fatkeqësisht, libra të tillë kanë dështuar të komunikojnë me publikun e gjerë, të bëhen një ngjarje publike, të shndërrohen në një akt–komunikimi me shoqërinë bashkëkohore shqiptare.
Nga ana tjetër, suksesi i librit të Blushit nuk është vetëm shndërrimi i tij nga një ngjarje mediatike, kulturore, në një debat publik. Ata që e thonë këtë, ose nuk e njohin shoqërinë e komunikimit ku jetojmë, ose nuk duan ta pranojnë. Në mediat shqiptare ka rëndom mediatizime librash që nuk ecin fare në librari, ka plot debate të sforcuara për libra, autorë, të cilët e lënë sërish pa vëmendje publikun. Ndaj, ashtu sikurse jo çdo sukses letrar është një mediatizim, po ashtu jo çdo mediatizim nuk është domosdo një sukses letrar.
Pasi shkoi tek libri përmes medias, lexuesi gjeti një roman të shkruar mjaft bukur, gjeti një histori shqiptare të rrëfyer artistikisht, evokoi një nostalgji të racës sonë të vendosur denjësisht në një sagë, e cila i shpërfill kufijtë, kohët, kufijtë e të vërtetave historike. Gjeti një botë shqiptare totale, të ndërtuar nga autori me mjeshtërinë e një pune të imët në filigramën e fjalëve. Një analizë letrare e mirëfilltë i takon kritikës letrare profesioniste.
Pikërisht tek pikëtakimi mes një strukture të komunikimit publik e mediatik të kësaj vepre dhe te cilësitë e veprës qëndron e vërteta e thjeshtë e romanit të Ben Blushit “Të jetosh në ishull”. Kësaj të vërtete të thjeshtë mund t’i bëhet një shtojcë: Nuk është e vërtetë që në Shqipëri nuk lexohet më, apo lexohet pak. Përkundrazi. Lexohet shumë, mjaft që vepra të jetë cilësore dhe të gjendet kanali i duhur i komunikimit me publikun shqiptar. Siç ndodhi me “… ishull-in”