Avokatët e “Hakmarrjes për drejtësi”, fakte te reja lehtësuese per organizaten
Laureta Rryçi
Tiranë - Avokatët e të akuzuarve si anëtarë të organizatës “Hakmarrje për drejtësisë” i kërkuan dje Gjykatës së Krimeve të Rënda pafajësi për klientët e tyre. Seanca e djeshme vijoi me pretendimet e fundit të mbrojtësve të të pandehurve. Avokatët kanë pretenduar se edhe kësaj radhe prokuroria nuk ka arritur të gjejë prova që provojnë implikimin apo fajësinë e secilit prej të akuzuarve. Ndërkohë, prokurorët e çështjes, një seancë më parë kërkuan dënime të ndryshme për të akuzuarit. Dënimet nisnin nga burgimi i përjetshëm e deri në tetë vite burg.
Seanca
Seanca e djeshme e zhvilluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, e cila është edhe e parafundit e procesit, ka vijuar me deklarimet e të pandehurve Dritan Hate dhe Gëzim Gjoni, të cilët janë të vetmit që ndodhen në Shqipëri, pasi të pandehurit e tjerë ndodhen jashtë vendit. I pandehuri Gjoni deklaroi para gjykatës se është i pafajshëm dhe se prokuroria duhet të pushojë dy akuzat e ngritura për të. Të njëjtin pretendim paraqiti edhe i pandehuri Dritan Hate, i cili u shpreh se e vetmja gjë që e lidh me “Hakmarrjen” është fakti se motra e tij është e martuar me Nikolin Novruzajn, i cili është një prej të akuzuarve. Aktualisht të dy të pandehurit, Hate e Gjoni, po gjykohen në gjendje të lirë, pasi kanë përfunduar të gjitha afatet e paraburgimit. Pasi ka dëgjuar deklarimet e dy të pandehurve trupi gjykues, i kryesuar nga Flora Hajredinaj, vendosi të shtyjë seancën për më 1 korrik, kur pritet të shpallet edhe vendimi përfundimtar për 10 të pandehurit e këtij procesi.
Pretenca
Pas disa vitesh proces gjyqësor të pandërprerë, i zhvilluar javë për javë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi vetëm pak ditë më parë dënimin me 146 vjet heqje lirie për shtatë nga të pandehurit e organizatës kriminale “Hakmarrja për drejtësi” dhe tre dënime të përjetshme për tre të pandehurit e tjerë, të konsideruar edhe si krerët e organizatës. Dy prokurorët e çështjes lexuan 135 faqe konkluzione përfundimtare, në të cilat kanë parashtruar serinë e veprave penale të ndara në 18 episode të ndryshme, në të cilat pretendohet se janë përfshirë 10 të pandehurit e kësaj çështjeje. Dy prokurorët e çështjes i kërkuan togave të zeza të kryesuara nga gjyqtarja Flora Hajredinaj shpalljen e tyre fajtorë për të gjitha veprat penale që këta të fundit akuzohen. Në konkluzionet përfundimtare prokuroria i ka kërkuar gjykatës deklarimin fajtor dhe dënimin me “burgim të përjetshëm” për të pandehurin Orik Shyti dhe po të njëjtën masë dënimi për dy të pandehurit e tjerë, Altin Arapi dhe Gentian Caka. Për të pandehurit Leart Shtyti, Kreshnik Spahiu dhe Dritan Hate prokuroria ka kërkuar deklarimin e tyre fajtorë dhe dënimin me 22 vjet heqje lirie secili. Ndërkohë që kërkoi dënimin me 25 vjet burg për Roland Shytin dhe 8 vjet burg për të pandehurin Gëzim Gjoni, i vetmi person që ndenji për disa vite në qelitë e paraburgimit, në krahasim me pjesën tjetër të grupit, që kanë përfituar statusin e azilantit politik në Belgjikë. Dhe në fund të konkluzioneve prokurorët deklaruan fajtor dhe kërkuan dënimin me 21 vjet burg për të pandehurin tjetër të organizatës kriminale, Pasho Norvruzaj.
Azil politik
Pesë të pandehurit e bandës kanë përfituar prej disa kohësh azilin politik. Orik Shtyi, Altin Arapi, Nikolin e Pasho Novruzaj si dhe i pandehuri Kreshnik Spahiu janë të strehuar politikë në Belgjikë, ku edhe mbrohen nga ky shtet. Këta të fundit, edhe pse mund të dënohen në vendin tonë do të lëvizin të qetë në këtë shtet për vite me radhë “pa u hyrë një gjemb në këmbë”. Shteti u dha statusin e azilantit politik, pasi faktuan me dokumentet që dispononin se u rrezikohej jeta në Shqipëri. Mësohet se për të përfituar këtë status ka aplikuar edhe i pandehuri tjetër, Leart Shyti.
Krimet për të cilat akuzohen
1- Vrasja e Bujar Kaloshit më 26.07.1996
2- Vrasja e Pirro Koninit më 12.04.1995
3- Vrasja e S. Jatës më 15.12.1993
4- Rrëmbimi i Erion Nushit më 30.10.1995
5- Autobomba te “VEFA” në Tiranë më 26.02.1996
6- Vjedhja e arkës së kursimeve të Lagjes nr. 8 më 02.06.1992
7- Arka e zhdoganimit më 09.12.1992
8- Banka e Tiranës më 29.01.1993
9- Vjedhja e pistoletës së Demir Lamit më 30.06.1993
10- Vjedhja e Swiss Air më 17.12.1993
11- Vjedhja e dytë e Swiss Air më 17.06.1994
12- Vjedhja e Malev më 29.07.1994
13- Vjedhja e Shkumbin Petrol më 16.08.1994
14- Vjedhja e IAP më 12.10.1994
15- Vjedhja e IAP më 07.12.1994
16- Vjedhja e Gjallicës Vlorë më 13.12.1994
17- Vjedhja e argjendarisë “Agron” më 14.01.1995
18- Vjedhja e Bankës në Vlorës më 20.01.1995
19- Vjedhja e INSIG-ut më 21.02.1995
20- Vjedhja e Adria-s më 01.03.1995
21- Vjedhja e Gas Butan më 03.03.1995
22- Vjedhja e arkës së sfungjerit më 15.06.1995
23- Vjedhja e VEFA-s në Vlorë më 21.01.1996
24- Vjedhja e Bankës në Vlorë më 18.04.1996
Pretenca
Orik Shyti, burgim i përjetshëm
Altin Arapi, burgim i përjetshëm
Gentian Caka, burgim i përjetshëm
Nikolin Novruzaj, 24 vjet heqje lirie
Roland Shyti, 25 vjet heqje lirie
Leart Shyti, 22 vjet heqje lirie
Kreshnik Spahiu, 22 vjet heqje lirie
Pasho Novruzaj, 21 vjet heqje lirie
Gëzim Gjoni, 8 vjet heqje lirie
Dritan Hate, 22 vjet heqje lirie
17 Qershor 2008