E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesi, Vasil Bollano sot para gjyqit



VLORË - Paraditen e të martës, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë pritet që të zhvillohet gjyqi ndaj kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasillaq Bollano, i cili akuzohet për konsumimin të veprës penale “shpërdorim detyre”. Sipas kancelarit të Gjykatës së Vlorës, Albert Pashaj, gjyqtar në këtë çështje, do të jetë Shkëlzen Selimi, ndërsa Akuza do të përfaqësohet nga vetë kryeprokurori i Vlorës, Sokol Malaj. Po sipas kancelarit, kreu i Himarës nuk do të jetë i pranishëm në këtë gjykim ndaj tij, por do të përfaqësohet nga avokati mbrojtës, Petraq Curri. Pas hetimeve disamujore, Gjykata e Vlorës e merr Bollanon si të pandehur, duke e akuzuar si përgjegjës për heqjen e tabelave orientuese nëpër rrugët e bregdetit nga fshati Qeparo deri në Llogora, çka i ka kushtuar shtetit një dëm prej 21 milionë lekësh. Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve ose mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mos përmbushje të rregullt të detyrës nga punonjësi i ngarkuar me funksion shtetëror ose me shërbim publik, kur i kanë sjellë pasoja të rënda interesave të ligjshme të shtetasve ose shtetit, mund të dënohen me gjobë ose me burgim deri në 7 vjet.

Dhunoi varrezat, kapet në flagrancë 19-vjeçari

KORÇË - Policia e Komisariatit të Korçës ka arrestuar një 19-vjeçar me banim në këtë qytet, me akuzën "dhunim i varreve në bashkëpunim", pasi është kapur në flagrancë duke vjedhur varrezat publike të qytetit. Sipas njoftimit për shtyp të policisë së Korçës, është ndaluar të hënën shtetasi Drini Malka, 19 vjeç, banues në Lagjen Nr. 4 të qytetit të Korçës. Arrestimi i këtij shtetasi është vendosur pasi ka tentuar të vjedhë së bashku me një person tjetër objekte metalike në varrezat publike të qytetit. Vjedhja dhe dëmtimi i varrezave publike të qytetit të Korçës, sipas burimeve zyrtare të policisë, është kthyer kohët e fundit në një dukuri shqetësuese, pasi persona të ndryshëm vjedhin në to objekte zbukuruese apo mbrojtëse prej hekuri dhe bronzi, me qëllim që t’i shesin për skrap.

Ndalohet shoferi malazez për aksidentin

LIBRAZHD - Drejtuesi i autobusit me turistë nga Mali i Zi, i cili u përplas me një maune një orë pas mesnatës së të shtunës në aksin rrugor Qafë Thanë-Librazhd, te kthesa e quajtur Hotolisht, është arrestuar nga forcat e Rendit. Policia ka vënë në pranga Stretko Kovaçeviç, 51 vjeç, nga Mali i Zi, si shkaktar të aksidentit që i mori jetën 40-vjeçarit Laze Mulaj nga Tropoja, por me banim në Tiranë. Aksidenti ndodhi rreth orës 01:00 të ditës së diel, kur autobusi me targa KO 284 79, teksa ecte me shpejtësi dhe në kah të kundërt, është përplasur me një manune që vinte në drejtimin tjetër. Nga përplasja gjeti vdekjen shoferi i manues, Mulaj, ndërsa u plagosën lehtë disa nga turistët malazezë. Aksidenti shkaktoi bllokim të aksit rrugor Librazhd-Hotolisht për rreth 3 orë dhe vetëm rreth orës 04:00 të mëngjesit të dy ditëve më parë rinisi qarkullimi i mjeteve.

17 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›