Makina aksidenton për vdekje djalin e kompozitorit
KORÇË- Një fëmijë 7 vjeçar nga kryeqyteti humbi jetën gjatë një aksidenti rrugor në orët e mbasdites së djeshme, teksa u përplas me një automjet në një nga rrugët e qytetit të Korçës. Burime nga policia e Korçës bënë të ditur se 7-vjeçari Marsi Sina, djali i kompozitorit Endri Sina qe kishte ardhur për të pushuar tek gjyshërit e tij në qytetin e Korçës, humbi jetën rreth orës 19:00, pasi u përplas me një autoveturë tip "Benz" me targa KO 53 89 B, e drejtuar nga shtetasi Elion Shalsaj, në shëtitoren " Fan Noli" të qytetit të Korçës". Sipas policisë, i mituri është përplasur në anën e prapme të mjetit, në kohën që ka dalë nga shtëpia drejt e në rrugë dhe si pasojë e rënies me kokë, fëmija ka gjetur vdekjen sapo mbërriti në spitalin e qytetit. Nga hetimet e policisë mësohet se autovetura nuk po qarkullonte me shpejtësi të madhe, por dalja e papritur e fëmijës në rrugë dhe devijimi i shoferit për në drejtim të kundërt nga trotuari, ka sjellë goditjen me anën e prapme të makinës.
17 Qershor 2008