E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas 30 vitesh një nënë në gjurmë të vajzës së saj



E braktis fëmijën se nuk ishte e martuar, por për “ironi të fatit” ajo martohet me babain e vajzës një muaj pas braktisjes së saj. Një histori e jashtëzakonshme, me vlera fisnike dhe morale për jetën, përbëri boshtin kryesor të ngjarjeve të trajtuara në “Njerëz të humbur” të shtunën në mbrëmje në Vizion Plus. Nëna e Sonila Methasanit dhe pjesa tjetër e familjes së saj rrëfyen në studio ngjarjen e rrallë. Sonila lindi në datën 21 gusht të vitit 1978 në Maternitetin e Peshkopisë. Nëna e vajzës, në atë kohë vetëm 16 vjeçe, detyrohet ta braktisë vajzën e saj pasi familja nuk e pranonte në shtëpi. Ajo ishte një fëmijë i lindur jashtë një kurorëzimi martesor. Naslia nuk kishte bërë celebrim me babain e vajzës dhe në pozita të tilla e dorëzon fëmijën dyditëshe në Shtëpinë e Foshnjës në Shkodër. Aty ajo e regjistron vajzën me emrin Sonila Naslie Methasani. Dita e dorëzimit në këtë institucion ka qenë dhe dita e fundit që nëna e ka parë vajzën e saj. Pas disa kohësh Naslia martohet me babain biologjik të vajzës, Bajram Cara. Nga martesa e tyre ata kanë aktualisht tre fëmijë. E gjendur nën një gjendje ankthi dhe fajësie, në vitin 1982 Naslia interesohet në Shtëpinë e Foshnjës në Shkodër, por atje i thonë se ajo nuk mund ta merrte Sonilën, megjithëse ajo gëzonte shëndet të plotë. Në datën 6 janar të vitit 1988 Naslia shkon sërish në Shtëpinë e Foshnjës, Shkodër, për të kërkuar vajzën e tyre dhe në dokumentet që i përkisnin asaj prindërit kanë vënë re shkarazi se Sonila kishte dalë nga institucioni më 31 gusht të vitit 1978, vetëm 10 ditë pas braktisjes së saj në maternitet. Pengu i rinisë së saj e “detyroi” Naslien t`i drejtohet “Njerëz të humbur” për të kërkuar një gjurmë jete të vajzës së saj. Prezantimi i historisë, si kërkimet nëpër institucione, u dhanë një dorë investigimeve të gazetarëve, të cilat morën një rrugë të mbarë që në paraqitjen e detajeve të historisë. U fol fillimisht për një vajzë e cila kishte ardhur nga Shtëpia e Fëmijës Shkodër dhe banonte prej shumë vitesh te konviktet e Shkollës Teknologjike në Tiranë. Ajo quhej Sonila dhe ishte rreth moshës së vajzës e cila kërkohej në “Njerëz të humbur”. Por ky nuk do të ishte i vetmi informacion për të. Historia ngjalli kureshtje dhe për shumë teleshikues, të cilët dhanë vendndodhje të tjera të kësaj vajze, detajet e së cilës priten të zbardhen gjatë kësaj jave. Behët fjalë për Sonila Methasanin, apo për një vajzë, historia e së cilës ngjason me të Sonilës? Kjo mbetet hipoteza kryesore për t`u verifikuar deri të shtunën e mbrëmjes së ardhshme të “Njerëz të humbur” në Vizion Plus.

17 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›