Nga Australia në Turqi, misteri i vendndodhjes së Lulëzim Berberit
Ishte vetëm 21 vjeç në atë kohë, rrinte gjatë i zhytur mes librash. Një student me rezultate të shkëlqyera, pasionant i informatikës e fanatik i fesë, por jo vetëm kaq. I lindur dhe rritur në qytetin e një mbi një dritareve djaloshi kishte projektuar shumë herët objektiva dhe qëllime të larta, të cilat donte medoemos t’i arrinte. E shihte botën ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij, me një pjekuri dhe maturi të lartë. Lulëzim Berberi, me origjinë nga qyteti i Beratit, u largua nga Shqipëria në vitin 1999 duke humbur përgjithmonë kontaktet me familjen e tij. Pas tri ditësh në familjen Berberi mbërrin zëri i Lulëzimit nga Turqia. Mes fjalëve të shkëmbyera midis tij dhe prindërve ai përmendi shtetin e largët të Australisë si destinacionin e tij të fundit. Një tjetër telefonatë pas shumë pak ditësh do të shënonte edhe komunikimin e fundit mes familjes Berberi dhe të afërmit të tyre... Më pas çdo gjurmë e të riut do të tretej, si hapat në rërën e lagur nga dallgët e detit. Lulëzimi u kishte thënë prindërve se do të shkonte në Australi ose Malajzi pasi priste t’i dilte e drejta e studimit në njërin prej këtyre shteteve. Duhet thënë se gjatë kohës që ndiqte studimet e larta për Informatikë, Lulëzimi frekuentonte disa nga xhamitë e Tiranës, pasi ishte një besimtar i devotshëm i fesë islame. Kishte filluar ta përqafonte këtë fe shumë herët, qyshkur ishte nxënës në një nga gjimnazet e vendlindjes së tij. Edhe pse haste vazhdimisht kundërshtimet e prindërve për të qenë aq i lidhur me fenë, 21-vjeçari nuk u ndal asnjëherë në leximet e librave dhe materialeve që i jepnin dituri dhe njohje mbi fenë dhe vlerat që ajo i jepte atij si qenie njerëzore. Dashurinë për islamin ai e demonstroi në Luftën e Kosovës, kur mori aktivisht pjesë në betejën e përgjakshme të vitit 1998. Pista e pjesëmarrjes në këtë luftë mbetet ende e errët edhe nga familjarët e 30-vjeçarit. Gjatë kohës së qëndrimit të tij në këto treva shqiptare përreth tre muaj, Lulëzimi nuk kishte asnjë kontakt me familjen. Ata mësuan se djali i tyre ndodhej në Luftën e Kosovës vetëm pasi Lulëzimi u dërgoi një letër. Përmes rreshtave të saj ai uronte që prindërit të ishin krenarë për të dhe për punën e tij në mbrojtje të njerëzve fatkeq. Pas 4 muajsh djali kthehet nga lufta i traumatizuar nga pasojat e saj. Për këtë motiv prindërit e dërgojnë në Greqi te vëllai i tij i madh, Behari. Pas 6 muajsh Lulëzimi kthehet në Shqipëri dhe kërkon nga i ati t’i nxirrte një pasaportë, pasi do të shkonte në Australi. Babai nuk arrin t’ia plotësojë këtë kërkesë dhe brenda 24 orëve Lulëzimi e nxjerr vetë pasaportën duke u larguar përfundimisht nga Shqipëria.
Enigma e frikshme e historisë “Berberi” vazhdon edhe sot. Gjatë trajtimit të këtij rasti në studion e “Njerëz të humbur”, në Vizion plus, pati një numër të madh telefonatash dhe dëshmish që hodhën edhe pistat e para të një vendndodhje të mundshme të Lulëzimit, sot 30 vjeç. Turqia dhe Australia ishin dy shtetet me të përfolura. Pas një jave kërkimesh dhe investigimesh intensive për këtë rast, pista e Australisë është vënë në pikëpyetje në fillim sepse nuk dihet me siguri nëse Lulëzimi ka telefonuar me të nga Australia për herë të fundit apo gjithçka ishte e planifikuar për të dhënë përshtypjen se ai tashmë ndodhej në një kontinent të largët për të humbur gjurmët e tij përgjithmonë. Historia “Berberi” do të vazhdojë edhe në javët që do të vijojnë për të zbardhur atë pjesë të misterit që mundon edhe sot pas 9 vitesh nga humbja familjen e tij.
SHËNIM
“Për çdo informacion rreth këtyre personave vizitoni faqen www.njereztehumbur.com shkruani në adresen aidashtino@vizionplus.tv ose na kontaktoni në Tel. +355 4 258 488 Fax. +355 4 258 490 pranë redaksisë së emisionit në Vizion Plus. Rr. Don Bosko Nr. 5 Tiranë - Albania”
17 Qershor 2008