E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokatët e Kumbaros kërkojnë përjashtimin e trupit gjykues

Menjëherë pas dhënies së masës së sigurisë për Ilir Kumbaron, avokatët e këtij të fundit kanë kërkuar përjashtimin e trupit gjykues pasi, sipas ligjit, ky trup gjykues nuk ka të drejtë për ta vazhduar këtë proces. Kjo kërkesë është depozituar ditën e djeshme në procesin gjyqësor që po zhvillohet në ngarkim të Kumbaros, Arben Sefgjinit dhe Avni Koldashit, të cilët akuzohen se kanë rrëmbyer, torturuar dhe më pas zhdukur biznesmenin shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Ndërkohë që përpara depozitimit të kësaj kërkese, trupi gjykues i drejtuar nga gjyqtari Xhelal Elezi, duke qenë i vetëdijshëm për pengesat ligjore, i ka paraqitur kryetarit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda kërkesën për heqjen dorë nga ky proces, por kërkesa është rrëzuar nga ana e kryetarit, pasi, sipas tij, nuk përbënte shkelje procedurale.
Në kërkesën e avokatëve mbrojtës të Ilir Kumbaros thuhet: “Nuk mund të marrë pjesë në gjykim që në të njëjtin procedim ka vleftësuar masën e sigurisë apo çdo kërkesë tjetër të prokurorit të paraqitur gjatë hetimit paraprak. Në këto kushte, kërkojmë përjashtimin e të gjithë trupës gjykuese, pasi vazhdimi i shqyrtimit nga ana e juaj do të sillte një shkelje të ligjit”. Tashmë pritet që kërkesa e mbrojtësve të shqyrtohet nga një tjetër gjyqtar, i cili do të vendosë mbi fatin e trupit gjykues të njërës nga çështjet më të përfolura të viteve të fundit.

23 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›