E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënohet dhe lihet i lirë administratori i pronave të Jasin Kadisë

Katër vite burg dhe 600 mijë lekë gjobë, por vendimi pezullohet për një periudhë 3-vjeçare. Ky ka qenë vendimi i djeshëm i Gjykatës së Krimeve të Rënda për Hamza Abu Rajanin, i njohur ndryshe si administratori i bizneseve të Jasin Kadisë, i cili është në listën e OKB-së si financues i terrorizmit. Abu Rajan u akuzua nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për “fshehje të pasurive”, që përllogariteshin me një shumë totale prej 10 milionë lekësh. Gjatë procesit, organi i akuzës arriti të provojë se kjo shumë, e cila vilej nga qiratë e ambienteve të administruara nga ky i pandehur. Sipas saj, këto para janë derdhur në një llogari fantazmë, për të cilën u dyshua se ishte në financim të terrorizmit. Sipas Prokurorisë, Abu Rajan i ka shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 80 mijë euro. Abu Rajan, ka qenë i punësuar si administrator i shoqërisë "Loxhall" sh.p.k. me pronar sheikun arab Jasin al-Kadi, i cili ndodhet që nga 17 shtatori 2001 në listën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara si i dyshuar për financimin e terrorizmit. Kjo shoqëri, nën administrimin e Abu Rajan, në kundërshtim me kërkesat e ligjit, vazhdonte prej kohësh të ushtronte aktivitetin e biznesit nëpërmjet dhënies me qira të pasurive të paluajtshme. Nga hetimi gjyqësor është provuar se vetëm në kryeqytet, shoqëria "Loxhall" sh.p.k. ka 19 objekte, të cilat janë dhënë me qira, ku të gjitha pagesat për këto aktivitete janë kryer kesh dhe nuk kanë kaluar nëpërmjet sistemit bankar. Pas rreth 64 seancash, ku kanë dëshmuar disa dëshmitarë dhe janë lexuar letër-porositë e ardhura nga Jordania të vetë Jasin Kadisë, më në fund organi i akuzës paraqiti dy seanca më parë konkluzionet përfundimtare, ku kërkoi dënimin me 6 vite burg dhe 5 milionë lekë gjobë për këtë të pandehur. Por, ditën e djeshme, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi ta shpallë fajtor të pandehurin Hamza Abu Rajan dhe ta dënojë atë më 4 vite burg, por ky dënim u pezullua për një periudhë trevjeçare, me kusht që ky i pandehur të mos kryejë asnjë vepër penale. Tashmë Abu Rajan duhet të lajmërojë autoritetet e Drejtësisë për të gjitha lëvizjet që ai mund të kryej drejt Jordanisë. Sipas avokatëve mbrojtës të këtij të pandehuri, bëhet e ditur se ky vendim do të apelohet, pasi për ta është i padrejtë për shkak se sipas tyre, Abu Rajan është i pafajshëm.

23 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›