E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet zbardhin masat penalizuese, gjoba dhjetëfish për kontributet

Drafti parashikon pesëfishimin e gjobave për bizneset që nuk kanë vendosur kasat
Ervin KOÇI

Administrata Tatimore ka vendosur që të pesëfishojë vlerën e gjobave për subjektet tregtare që nuk kanë vendosur apo që nuk përdorin kasat fiskale. Drafti me propozimet e qeverisë ku parashikohet shumëfishimi i shumës së gjobave për bizneset u miratua ditët e fundit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave dhe pritet të kalojë së shpejti edhe në seancë plenare. Sipas ligjit aktual, nëse një biznes nuk e ka vendosur kasën fiskale, ai gjobitet nga 20 mijë deri në 100 mijë lekë. Ndërsa, me ndryshimet e propozuara nga qeveria për gjobat, ato janë përshkallëzuar duke parashikuar edhe mbyllje të aktivitetit. Sipas Ministrisë së Financave, arsyeja e ndryshimit të ligjit ka të bëjë me faktin se për detyrime të papaguara në afat, që i përkasin shumave deri në 200 mijë lekë ndaj tatimpaguesve rezulton një penalitet i barabartë, në masën 10 mijë lekë. Ky qëndrim prek një numër të madh tatimpaguesit, kryesisht biznesin e vogël.

Gjobat për kasat

Nëse konstatohet se subjekti nuk ka vendosur pajisjen fiskale si fillim ai gjobitet me 100 mijë lekë dhe i jepet një afat 10 ditor për vendosjen e saj, nëse përsëri brenda këtij afati ai nuk e ka vendosur ende, biznesi rigjobitet, por kësaj radhe me 500 mijë lekë por duke i dhënë edhe 10 ditë të tjera afat për ta vendosur. Nëse edhe pas kësaj gjobe subjekti përsëri kapet pa pajisje fiskale nga punonjësit e tatimeve, merret masa për ndërprerjen e aktivitetit për një periudhë gjashtë mujore. Kur vërehet se edhe pas kësaj periudhe biznesi nuk e ka vendosur pajisjen, tatimet mbyllin në mënyrë përfundimtare aktivitetin e tij. Por edhe nëse biznesi merr përsipër vendosjen e kasës fiskale, përsëri ndryshimet në ligj parashikojnë një serë gjobash për shkeljet që presupozohet se kryhen.

Gjobat për faturat

Nëse biznesi nuk lëshon faturë për çdo shitje të bërë, herën e parë gjobitet me 100 mijë lekë, herën e dytë me 500 mijë lekë. Nëse përsëritet ligji parashikon ndërprerjen për gjashtë muaj të aktivitetit. Gjobat e vendosura për shkelje administrative, që lidhen me një detyrim tatimor, nuk mund të kalojnë 100 % të detyrimit tatimor. Kjo gjobë zbatohet edhe ne rastet kur tatimpaguesi ndryshon deklaratën fillestare, sipas kërkesave të nenit 67, të këtij ligji.

Mosdeklarimi i punonjësve

Ndryshimet parashikojnë edhe gjobat në rastet e mosdeklarimit të punonjësve nga ana e punëdhënësve. Kështu, çdo biznes i vogël që zbulohet se nuk ka deklaruar të punësuarit të paktën 24 orë para fillimit të punës do të gjobitet me 50 mijë lekë për secilin rast. Për të njëjtën shkelje sipas qeverisë, çdo biznes i cili paguan TVSH dhe konsiderohet i madh paguan një gjobë me vlerë 100 mijë lekë. Në të dyja rastet krahas pagesës së gjobës, punëdhënësi duhet të shlyejë të gjithë shumën e kontributeve të papaguara. Një nga ndryshimet në ligjin "Për procedurat tatimore", prek edhe pjesën e kontributeve që nuk deklarohen nga tatimpaguesi. Për çdo punonjës të padeklaruar në tatime, subjekti gjobitej me 10 mijë lekë, ndërsa tani do të ketë një ndarje: subjekti me TVSH do të gjobitet me 100 mijë lekë, kurse subjekti i vogël me 50 mijë lekë, përfshi dhe pagimin e detyrimit tatimor.

23 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›