Emigrantët, bankat oferta "agresive" për depozitat në fundvit
Ardhja e emigrantëve për festat e fundvitit ka vënë në lëvizje sistemin bankar, duke nisur konkurrencën në ofertat e depozitave. Kjo gjë është bërë “traditë” tashmë, kur dihet se emigrantët në udhëtimin e tyre pranë familjeve sjellin me vete vlera monetare. Këto shuma janë bërë pjesë e tortës që bankat në vendin tonë duhet ta ndajnë mes tyre. Ofertat për depozitat janë nga më joshëset. Një nga bankat e nivelit të dytë të ofron, para nëse hap një depozitë. Një tjetër bankë thotë se, nuk të prish interesin edhe nëse tërheq 30 për qind të shumës. Nga ana tjetër interesat kanë arritur majat. Kjo praktikë pune nga ana e bankave ka rezultuar me sukses, pasi në periudhat e fund vitit dhe gjatë sezonit veror të pushimeve futet një sasi i madhe valute nga emigracioni, ku pjesa më e madhe e tyre depozitohen në banka. Vitin që shkoi për shkak të krizës financiare globale dhe besimit të munguar të bankave, ndodhi një fenomen i kundërt. Shumë klientë i tërhoqën kursimet e tyre nga bankat. Gjatë verës me kapërcimin e krizës bankare, rikthimi i depozitave në banka nisi me ritme të larta.
Nëntor, rritet borxhi i qeverisë te BSH me 75.4 miliardë lekë
Borxhet e përgjithshme të qeverisë shqiptare te Banka Qendrore arritën në 75.4 miliardë lekë në muajin nëntor, duke shënuar një rritje prej 0.3 miliardësh, në krahasim me muajin paraardhës dhe rritje prej 11 miliardësh në krahasim me tetorin 2008, kur filloi edhe kriza botërore. Borxhet e qeverisë te BSH u rritën me shpejtësi gjatë vitit të fundit, kryesisht për shkak se qeveria gjeti pak blerës për bonot e thesarit të emetuara gjatë këtij viti. Edhe bankat e nivelit të dytë rritën detyrimet e tyre ndaj BSH në 33.5 miliardë lekë në nëntor, nga 32.5 miliardë që qenë në muajin tetor. Borxhet e bankave të nivelit të dytë kundrejt BSH-së janë akumuluar gjatë vitit të fundit si pasojë e gatishmërisë së Bankës Qendrore për të mbuluar nevojat afatshkurtra të bankave me likuiditet përmes lehtësimit të kushteve. Banka e Shqipërisë bëri të ditur në shtator se po mendonte të fillonte tërheqjen nga stimuli monetar, i cili mund të shkaktojë inflacion në rast se mbahet gjatë. Në tetor, detyrimet e bankave te BSH u ulën ndjeshëm me 3 miliardë lekë, por rifilluan të rriten në nëntor.
23 Dhjetor 2009