E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, pranga 2 zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme

Arrestohen dy zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, tre biznesmenë dhe ndërmjetësi i tyre për korrupsion me blerjen e uniformave. Sipas të dhënave, bëhet e ditur se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kundrejt ryshfeteve, kanë paracaktuar fituesin e loteve për blerjen e këtyre uniformave. Lajmi konfirmohet nga ana e prokurorisë, e cila, me anë të një njoftimi për shtyp, bën të ditur se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 11.09.2009, ka regjistruar procedimin penal për veprat penale të “korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, si dhe “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Objekt i hetimeve ka qenë procedura e prokurimit të fondeve publike me objekt “blerje uniforma, veshmbathje dhe elemente të tjera përbërëse të tyre”, me fond limit 175.034.194 lekë, e cila do të zhvillohej nga Drejtoria e Përgjithshme e Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme. Prokuroria bënë me dije se për zbardhjen e rrethanave të hetimit nga ana e Njësisë së Përbashkët Hetimore Kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë janë kryer veprime të shumta hetimore me mjetet speciale të hetimit. Nga hetimet e deritanishme, mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë caktoi masat e sigurisë në mungesë dy ditë më parë për Bujar Muratin, me detyrë drejtor i Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme, Tahir Imami, specialist i prokurimeve në Gardë; Redi Popescu, në funksionin e ndërmjetësit mes zyrtarëve të Ministrisë dhe administratorëve të firmave private të prodhimit të uniformave; si dhe Artan Berberi, Jani Gjergjefi dhe Agur Sadiku, të cilët mësohet se kanë qenë administratorë firmash private. Sipas Prokurorisë së Tiranës, bëhet e ditur se Artan Berberi, Agur Sadiku dhe Jani Gjergjefi dyshohet se kundrejt përfitimeve të 125 000 eurove që u kanë dhënë Bujar Murati, me detyrë drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme, si dhe Redi Popescu kanë ndarë me marrëveshje të paracaktuar midis tyre fituesit e loteve të kësaj procedure prokurimi duke eliminuar konkurrencën e shoqërive të tjera në mënyrë të padrejtë. Hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë, të cilët mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari të kundërligjshme.

• Bujar Murati, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga Neni 259 i Kodit Penal.
• Redi Popescu, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe “korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1,prg.2, 244 dhe 25 të Kodit Penal.
• Tahir Imami, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga Neni 259 i Kodit Penal.
• Artan Berberi, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 244 dhe 25 të Kodit Penal.
• Agur Sadiku, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 244 dhe 25 të Kodit Penal.
• Jani Gjergjefi, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 244 dhe 25 të Kodit Penal.

23 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›