E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, vendorëve: “Berisha gënjeu, nuk ka lehtësim për biznesin e vogël”

Kryebashkiaku njoftoi ngritjen e Shoqatës për Autonominë Vendore. Kërkesë për autonominë dhe zmbrapsjen e qeverisë nga biznesi i vogël
Emanuela Sako
Çështja për autonominë vendore dhe falimentimin e biznesit të vogël gjendet përsëri në udhëkryq. Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka zhvilluar takim me kryetarët e bashkive socialiste, ku është shprehur se Berisha nuk po bën asgjë për të nxjerrë nga kriza biznesin e vogël, ndryshe nga çfarë kishte premtuar dy ditë më parë. Kryetari i Bashkisë theksoi se asnjë lehtësim nuk është bërë nga vendimi i Këshillit të Ministrave për biznesin e vogël.
Një ditë më parë, kryeministri Sali Berisha njoftoi se nuk do të ndryshojë pragun e të ardhurave për biznesin e vogël. Por Edi Rama u shpreh se beteja për autonominë vendore, e sanksionuar në Kushtetutë, do të vazhdojë. “Berisha gënjeu dje për biznesin e vogël. Dje nuk pati asnjë lehtësim nga vendimi i Berishës, por pati vetëm një zmbrapsje të Berishës. TVSH-ja për bizneset me 5 milionë lekë është e papranueshme, pasi qeveria nuk ka një sistem të verifikimit të xhiros”, - theksoi Rama. Kreu i Bashkisë së Tiranës iu referua të ardhurave nga Bashkia duke i bërë apel kryeministrit të dorëzojë në arkat e komunave dhe bashkive në rrethe këto të ardhura dhe të mos zhduken në vrimat e zeza, siç e quajti ai buxhetin e qeverisë. “I bëjmë apel kryeministrit që të dorëzojë në bashkitë dhe komunat të gjitha të ardhurat nga legalizimet. Nuk mund t’u mohohen kontributet që qytetarët japin për t’i parë të kthyera në investime”, - u shpreh Rama.
Deklarata
Edi Rama e akuzoi qeverinë për pengim të procesit të decentralizimit. Kryebashkiaku shpeshherë ka bërë thirrje publike se qeveria po pengon punën e vendorëve socialistë dhe të Bashkisë së Tiranës, që ka dhe financimet më të mëdha. Sipas Ramës, kjo është një goditje politike për të fshehur të vërtetën e kutive dhe zgjedhjeve të 28 qershorit. Duke vendosur ligjin që biznesi i vogël të trajtohet njëlloj me biznesin e madh, kjo do të çonte drejt falimentimit mijëra biznese të vogla në të gjithë vendin.
Gjatë takimit me vendorët, Rama theksoi se qeveria nuk ka vendosur ende kasat për bizneset. Kryebashkiaku i Tiranës u bëri të ditur vendorëve se ata janë aktorët që vendosin tarifat. “Është e papranueshme që qeveria të përcaktojë tarifat për biznesin e vogël. Tatim-fitimi për biznesin e vogël caktohet nga vendori. Ky do të jetë kolaps i garantuar për biznesin, ndaj e ftoj kryeministrin të thellohet se ka ende punë për të bërë”, - theksoi kryebashkiaku. Sipas Ramës, situata nuk pritet të përmirësohet as për vitin 2010. Duke përmendur faturën e rritur të energjisë elektrike Rama theksoi se plus faturën e TVSH-së, biznesi do ta ketë të papërballueshme.
Shoqata
Duke iu referuar ngjarjeve të fundit dhe problemeve që kanë dalë mes pushtetit qendror dhe atij vendor, kryebashkiaku vendosi që të ketë një reagim nga një subjekt tjetër për të drejtat e mohuara. Në këto kushte të problemeve me biznesin e vogël, Rama njoftoi ngritjen e Shoqatës për Autonominë Vendore. Në këtë shoqatë mund të marrë pjesë kushdo që pretendon se u janë prekur interesat nga qeveria apo ndihen të përjashtuar nga e drejta e tyre. Shoqata do të mbrojë të drejtat dhe autonominë e pushtetit vendor, për të ruajtur stabilitetin në bazë të rregullave ligjore. Vendorët socialistë pretendojnë se çdo ditë e më tepër po u cenohen të drejtat dhe zbatimi i ligjeve, siç janë të parashikuar në kushtetutë.

Goditja ndaj biznesit, çështja e mosmarrëveshjeve mes pushtetit qendror dhe atij vendor

Ndryshimi i ligjit për biznesin e vogël ka hapur një front të ri debati dhe sulmesh mes Bashkisë së Tiranës dhe kryeministrit Berisha. Rama kërkon që qeveria të ndryshojë ligjin për biznesin e vogël dhe t’i japë mundësi Bashkisë së Tiranës që të menaxhojë pjesën e saj të të ardhurave, siç është përcaktuar me ligj. Ligji i ri për taksat dhe TVSH-në për bizneset e vogla i trajton njëlloj si biznesin e madh, në një kohë që në bazë të fitimeve për biznesin e vogël është e papërballueshme. Lidhur me këtë çështje, Rama ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesin e vogël dhe me vendorët socialistë, për të kërkuar nga kryeministri të heqë dorë nga kërkesat e reja që i çojnë bizneset drejt falimentimit. Sipas Ramës, po rrezikohen rreth 3200 biznese të vogla, të cilat nuk mund të përballen me ndryshimet e reja. Në takimin e Ramës me biznesin e vogël, pak ditë më parë, ai deklaroi se në fillim të vitit 2010 biznesi i vogël do të përballet me falimentim masiv për shkak se ligji i ri i taksave i klasifikon ata si biznes i madh. Sipas Ramës, kjo është kundër Kushtetutës dhe kundër ligjit për autonominë vendore, që kalon të gjithë biznesin me xhiro mbi 5 milionë lekë në vit me TVSH dhe tatim fitimi njësoj si të ishte biznes i madh. “Biznesi i vogël kërcënohet nga një falimentim masiv në janar për shkak të një mase që është kundër Kushtetutës dhe kundër ligjit për autonominë vendore, që e kalon të gjithë biznesin me xhiro mbi 5 milionë lekë në vit me TVSH dhe tatim fitimi njësoj si të ishte biznes i madh”, - theksoi kryetari Rama.

23 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›