E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga, tentoi të vrasë ish të fejuarin e motrës

Arrestohet një i kërkuar që kohë më parë tentoi të vrasë ish-kunatin, pasi ishte ndarë me të motrën. Arrestimi i të kërkuarit Albert Ciku u bë dje në mesditë nga sektori i operacioneve speciale dhe kërkimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Sipas të dhënave hetimore, 31-vjeçari Ciku fshihej tek të afërmit, që kur ishte shpallur në kërkim nga policia. Ngjarja ka ndodhur më 13 maj. Atë ditë, Albert Ciku ka plagosur me pistoletë ish-kunatin e tij Xhevdet Muça, 40 vjeç. Sipas burimeve nga policia, mësohet se mes dy personave, prej disa muajsh kishte një konflikt familjar, pasi i plagosuri Muça ka qenë i fejuar me motrën e autorit, Ciku. Por pas disa muajsh fejese, ai kishte vendosur që të ndahej nga e fejuara dhe për këtë arsye dyshohet se 31-vjeçari ka dashur të hakmerret për "nderin" e motrës, duke tentuar të vrasë ish të fejuarin e saj. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Vorës, ku rastësisht janë takuar viktima dhe autori. Pas një debati të ashpër mes tyre, Albert Ciku ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar katër herë në drejtim të Xhevdet Muçës. Fatmirësisht vetëm një nga plumbat ka prekur 40-vjeçarin, i cili është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak. Për disa orë ai ka qenë në gjendje kritike për jetën, pasi kishte humbur shumë gjak nga plaga e rëndë në kofshë. Por pas ndërhyrjes kirurgjikale gjendja është përmirësuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›