E Hënë, 2 Nëntor 2026

Avokatët kërkojnë njohjen me dëshmitë e dosjes

12/05/2005  Fillon gjykimi ndaj vrasësve të basketbollistëve

KORÇE - Nën masa të forta sigurie është zhvilluar dje seanca e parë gjyqësore në ngarkim të të pandehurve, Vathi Strati, Gjergji Bregu dhe Damjan Toshi, të cilët vranë me armë zjarri dy basketbollistët, Sokol Jahollarin, 30 vjeç, Rafel Rizën, 18 vjeç, dhe ndërkohë lanë të plagosur rëndë ish-volejbollistin Julian Beçka, mbrëmjen e 4 shtatorit 2004.

Ngjarja që tronditi qytetin e Korçës, 9 muaj më parë, ka detyruar forcat e policisë të jenë në gatishmëri të plotë për çdo të papritur.

Trupi gjykues drejtohej nga kryetari i rrethit Gjyqësor Korçë, Vaskë Pano, ndërsa akuza përfaqësohej nga prokurori i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Ardian Nezha. Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm dy të pandehurit, Vathi Strati dhe Gjergji Bregu, ndërsa i akuzuari i tretë, si pjesëmarrës në këtë ngjarje, gjykohej në mungesë.

Seanca e parë gjyqësore ka zgjatur vetëm disa minuta për të vazhduar në seancën e radhës ditën e premte në orën 10.00.

Kjo seancë ka nisur me pyetjen e mbrojtjes në lidhje me procedurat.

Mbrojtja

Të tre avokatët, Riza Icka në mbrojtje të Gjergji Bregut, Arben Qeleshi i Vathi Stratit dhe Nevzat Tarelli në mbrojtje të Damjan Toshit, kanë ngritur pretendimin se nuk janë njohur me deklarimet e bëra nga dëshmitarët. Sipas tyre, kjo kërkesë u ishte refuzuar nga ana e organit të akuzës, edhe pse këtë të drejtë ua jepte neni 332 i Kodit Penal. Për rrjedhojë, tre avokatët këmbëngulën se në këto kushte nuk ishin në gjendje të mbronin klientët e tyre. Për këtë arsye i kërkuan trupit gjykues që të njiheshin me këto akte të marra gjatë fazës së hetimit.

Prokurori

Në lidhje me pretendimet e palës mbrjtëse, prokuror Ardian Nezha tha se, “nuk kishte patur asnjë memorie me shkrim drejtuar këtij institucioni as gjatë fazës së hetimit dhe as deri më tani, që të ketë lidhje me pretendimet e ngritura nga mbrojtja me njohjen e deklarimeve të shtetasve që janë paraqitur në cilësinë e dëshmitarit. Gjithsesi, tha Nezha, kjo është refuzuar nga ana jonë njohja me deklarimet e dhëna nga dëshmitarët të marra gjatë fazës së hetimit me pretendimin se, duke u nisur edhe nga praktika gjyqësore e Gjykatës së rrethit Gjyqësor Korçë, deklarimet e dhëna gjatë fazës së hetimit nga dëshmitarët e ndryshëm, sepse deklarimet e tyre nuk i janë bashkangjitur fashikullit gjyqësor. Përderisa deklarimet janë të tilla nuk bien ndesh me nenin 332, të cilit i referohet mbrojtja”, sqaroi prokurori.

Gjykata

Trupi Gjykues, i përbërë nga Vaskë Pano, Gjergji Koço dhe Arben Lera, pasi kanë dëgjuar të dy palët, dolën me vendimin që mbrojtja të njihet me ato deklarime që i janë bashkangjitur fashikullit gjyqësor. Në këtë mënyrë, trupi gjykues i kërkoi prokurorit që materialet e kërkuar prej avokatëve t’u vihen atyre menjëherë në dispozicion.

4 shtator 2004

Ngjarja

Mbrëmjen e 4 shtatorit 2004, basketbollistët, Sokol Jahollari dhe Rafael Riza, të shoqëruar nga miku i tyre, ish-volejbollisti, Julian Beçka, ndodheshin te Pallati i Sportit “Tamara Nikolla” për stërvitje, ndërsa atentatorët prisnin mbarimin e saj. Stërvitja ka mbaruar rreth orës 18.00, kurse tre miqtë kanë dalë të parët nga pallati i sportit, kur të tjerët ishin futur në dhomat e zhveshjes. Johallari, Riza dhe Beçka prisnin të largoheshin me një automjet tip “Volksvagen”, ndërsa të nesërmen do të ishin në Tiranë për të ndjekur ndeshjen Shqipëri-Greqi. Ndërsa i janë drejtuar automjetit, Riza është ulur në vendin e drejtuesit të automjetit, Beçka zuri vend për krah tij, ndërsa Jahollari u ul në sediljen e pasme. Pikërisht në këtë kohë tre persona me maska kanë qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të sportistëve. Për rrjedhojë, Jahollari vdiq në vend, Riza vdiq në spital. Kurse Beçka mbeti i plagosur rëndë në krah dhe kurriz.

Shumë shpejt policia e Korçës arrestoi Gjergji Bregun dhe Vathi Stratin, ndërsa shpalli në kërkim Damjan Toshin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›