KLD pranon kërkesën, i heq imunitetin gjyqtarit Qani Hasa
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në një mbledhje me dyer të mbyllura, pranoi kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila kërkonte heqjen e imunitetit të gjyqtarit Qani Hasa. Gjyqtari akuzohet për kryerje të akteve korruptive duke shfrytëzuar funksionin e gjyqtarit, ndaj dhe organi qendror i akuzës i kërkoi dje përmes një shkrese, ku parashtroheshin argumentet dhe provat para Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të zhveshë nga imuniteti gjyqtarin në Elbasan. Arsyeja e parashtrimit të një kërkesë të tillë u bë me qëllim që organi i akuzës të ketë rrugë të lirë për ta hetuar gjyqtarin Qani Hasa mbi disa afera korrupsioni. Zyrtarisht, nëpërmjet një deklarate për shtyp për mediat, organi qendror i akuzës pohoi dje se kërkohet marrja e një autorizimi për procedim penal ndaj gjyqtarit Hasa, pasi prokuroria dhe Task-Force në Tiranë kanë regjistruar procedimin për të, për akuzën e “korrupsionit pasiv”. Kjo çështje ka mbërritur pranë Task-Force qysh në muajin qershor, por gjatë kësaj kohe, prokurorët kanë thelluar hetimet dhe kanë siguruar provat e mjaftueshme për të ngritur akuzën ndaj gjyqtarit. Kjo dosje është transferuar nga Prokuroria e Elbasanit, për shkak se në këtë qytet nuk kishte në atë kohë një zyrë Task-Force që hetonte rastet korruptive. Burime të besueshme pohojnë se gjyqtari Hasa akuzohet se gjatë dhënies së një vendimi ka përgjysmuar dënimin për një të pandehur, nga 10 vjet që kishte kërkuar prokuroria, në 5 vjet burg. I dënuari ishte një person i arrestuar për disa vepra penale. Ndërkohë, po sipas burimeve, për këtë gjyqtar ekziston edhe një kallëzim dhe një kasetë, ku gjyqtari rezulton të jetë regjistruar duke bërë pazaret. Gjatë kësaj periudhe, Task-Force e Tiranës i kërkoi Gjykatës së Elbasanit një mandat kontrolli në shtëpinë e gjyqtarit, por gjykata e rrëzoi kërkesën, pasi procedura parashikon që në raste të tilla është KLD-ja ajo që duhet të vendosë për imunitetin e më pas organet hetimore kanë të drejtë të hetojnë apo të ushtrojnë kontroll në banesën e një personi nën hetim. Gjithashtu, në mbledhjen e djeshme, KLD vijoi me procedimet për dy gjyqtarët, Rasim Doda, për të cilin u vendos “vërejtje me paralajmërim” dhe “vërejtje” për Anila Capon, procedimi disiplinor i së cilës u rishqyrtua nga KLD në zbatim të vendimit nr.16, datë 27.4.2007, të Gjykatës Kushtetuese. Me kërkesë të ministrit të Drejtësisë, u shtynë disa procedime disiplinore, ndërsa u rrëzua kërkesa e tij për procedimin disiplinor ndaj dy gjyqtarëve të tjerë.