Vendimi: Skaner gjykimeve për vrasjet në vitet 2007-2008
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur dje të inspektojë çdo proces gjyqësor të zhvilluar për krimet e ndodhura në vitet 2007-2008. Këto inspektime do të zhvillohen nga dy inspektoratet, KLD e Ministri e Drejtësisë, dhe në objekt do të jetë çdo gjykim apo vendim i dhënë për vepra penale të vrasjes. Inspektimit do t’i nënshtrohen të gjithë gjyqtarët penalistë në pesë gjykatat më të mëdha në vend, gjykata të Shkallës së Parë, në veprimtarinë gjyqësore të të cilave evidentohen një numër i konsiderueshëm çështjesh gjyqësore, për vepra penale me kriminalitet të lartë. Nevoja për verifikimin e shkaqeve që kanë çuar në tejzgjatje të disa proceseve gjyqësore penale, një pjesë e të cilave mbartin edhe ndjeshmëri në publik dhe media, ka qenë objekt diskutimi në dy mbledhje të njëpasnjëshme të këshillit, dhe u finalizua me vendimin për këtë inspektim tematik të përbashkët midis dy Inspektorateve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë. Objekti i inspektimit do të jenë çështjet gjyqësore penale gjatë viteve 2007–2008 të sjella në gjykatat e rretheve gjyqësore Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë dhe në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, në ngarkim të shtetasve të marrë të pandehur për kryerjen e shtatë llojeve të ndryshme të veprave penale, ndër të cilat: vrasja me paramendim dhe në rrethana cilësuese, trafikimi i narkotikëve, shpërdorimi i detyrës, si dhe veprat që lidhen me korrupsionin pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, apo të funksionarëve të lartë shtetërorë. Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, tha në mbledhjen e djeshme në KLD se do t’i bëhet skaneri çdo gjyqtari që gjykon këto çështje penale. Inspektimi u vendos në një frymë të plotë bashkëpunimi midis Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, strukturat reciproke inspektuese të të cilëve, për tre muaj, do të përmbushin qëllimin e këtij inspektimi, duke shtrirë secili fushëveprimin e verifikimit të veprimtarisë gjyqësore në vite të ndryshme kalendarike. Kjo metodikë e kooperimit institucional është garancia më e mirë për të evituar mbivendosjet e kompetencave ligjore, duke rritur rezultatet e inspektimit gjyqësor. Pjesë e diskutimeve të djeshme në këshill ishte dhe projektligji “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”. Ky projekt është i lidhur me aspekte të ekstradimit të shtetasve, duke paraqitur rëndësi të veçantë në procese gjyqësore penale dhe mendimet e këshillit për të, do t’i transmetohen Ministrisë së Drejtësisë si dhe Komisionit për Çështje ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut pranë Kuvendit të Shqipërisë.