Çfarë synojnë të paraprijnë protestat e opozitës më 20 nëntor dhe 5 dhjetor
Shaban Sulçe
Datat e dy protestave të mëdha e të rëndësishme, të shpallura nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, nuk janë të rastësishme. Ato janë të lidhura dhe u paraprijnë dy akteve të paralajmëruara se do të kryen nga maxhoranca dhe të cilësuara si të rrezikshme nga opozita, të cilat, nëse do të ndodhnin, do të cenonin rëndë ekuilibrat dhe do të hidhnin në erë çdo shans për rikthimin e dialogut politik mes palëve. Protesta e 20 nëntorit e Partisë Socialiste dhe e partive të tjera opozitare, të majta e të djathta, për hapjen e kutive të votimit, përkon me ditën kur maxhoranca mund të urdhërojë asgjësimin e kutive të votimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Ndërkohë që protesta e 5 dhjetorit, që Rama do të zhvillojë së bashku me kryetarët socialistë të bashkive dhe komunave të vendit, përkon me zhvillimin e Konferencës Gjyqësore, në të cilën maxhoranca ka kërkuar që kjo konferencë t’i zgjedhë vetë anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Kutitë
Më 20 nëntor, ditën kur Partia Socialiste dhe partitë opozitare, të majta e të djathta, do të protestojnë për hapjen e kutive të votimit, do të skadojë edhe afati ligjor për ruajtjen e kutive të votimit, të cilat u përdorën për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Sipas Kodit Zgjedhor, në datën 20 nëntor, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i lind e drejta për të asgjësuar kutitë dhe fletët e votimit që u përdorën në zgjedhjet e kaluara. Pikërisht për të shmangur djegien dhe asgjësimin e fletëve dhe kutive të votimit, Partia Socialiste dhe partitë opozitare kanë vendosur që të zhvillojnë protestën më të madhe, për të mos lejuar një gjë të tillë, ndërkohë që qëllimi i protestave të tyre dhe i aksionit politik ka qenë pikërisht hapja e kutive të votimit. Nga ana tjetër, kryesocialisti Edi Rama ka dhënë një ultimatum të fortë në drejtim të kryeministrit Sali Berisha. Sipas Ramës, nëse Berisha do të asgjësojë kutitë e votimit, kryeministri dhe qeveria e tij do të rrëzohen para kohe dhe me zgjedhje të parakohshme.
KLD-ja
Më datë 5 dhjetor, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka paralajmëruar se do të zhvillojë një tjetër protestë të rëndësishme me kryetarët socialistë të komunave dhe bashkive të vendit. Kjo protestë do të zhvillohet për të kundërshtuar disa vendime të qeverisë, të cilat cenojnë autonominë e pushtetit vendor. Por gjithsesi, protesta e drejtuesve vendorë përkon edhe me datën kur pritet të zhvillohet Konferenca Gjyqësore. Në këtë konferencë është paralajmëruar që gjyqtarët t’i zgjedhin vetë anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke anashkaluar Kuvendin. Të paktën kjo gjë u kërkua nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Nëse do të ndodhte një gjë e tillë, kjo do të dëmtonte rëndë sistemin gjyqësor dhe do të sillte një reagim edhe më të ashpër nga opozita.
Topalli i kërkoi Konferencës të zgjidhte anëtarët e KLD-së
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vendosi të anashkalojë institucionin që ajo drejton në lidhje me ligjin për Konferencën Kombëtare Gjyqësore. Pas debateve të ditëve të fundit, Topalli ka dalë në një deklaratë për shtyp për mediat, duke shprehur qëndrimin e saj se është pro gjyqtarëve për të vënë në funksionim këtë konferencë me vetërregullim. “Pavarësia e pushtetit gjyqësor është kushti themelor për funksionimin e shtetit ligjor. Një pjesë e organeve të medias kanë informuar rreth debateve të fundit brenda Gjyqësorit lidhur me nevojën për rizgjedhjen e përfaqësuesve të rinj të Konferencës Kombëtare të Gjyqësorit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Lidhur me këtë shqetësim të Gjyqësorit shqiptar, kryetarja e Kuvendit kërkoi informacion nga të zgjedhurit e Kuvendit në KLD”, - thuhet në deklaratën e bërë publike në faqen zyrtare të Kuvendit.
Asgjësimi i fletëve të votimit, PS-ja, letër KQZ-së dhe ambasadave
Partia Socialiste shprehu shqetësimin muajin e kaluar në lidhje me fatin e fletëve të votimit të 28 qershorit, për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar se do të asgjësohen. Kjo pasi, nëse do të ndodhë një gjë e tillë, do të zhduken “provat” kryesore që vërtetojnë manipulimin e zgjedhjeve dhe, rrjedhimisht, do të zhvlerësohej edhe kushti kryesor i vendosur nga PS-ja për hyrjen në Kuvend. Për këtë arsye, Partia Socialiste i ka dërguar një letër zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilit i ka kërkuar që të evitojë asgjësimin e fletëve të votimit. Letra mban firmën e sekretarit për Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, dhe i është dërguar njëkohësisht edhe Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Delegacionit të Komisionit Europian dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Partia Socialiste u drejtohet anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të mos veprojnë për asgjësimin e fletëve të votimit. Sipas selisë rozë, nëse ndodh një gjë e tillë, kjo do të sillte pasoja të rënda për demokracinë në vend.
“Veçanërisht, përmes kësaj kërkese, i kërkojmë KQZ-së të mos veprojë për asgjësimin e fletëve të votimit që ndodhen në kutitë e votimit, të përdorura në këto zgjedhje, pasi çdo përpjekje e nxituar në këtë drejtim do të përbënte një veprim të motivuar politikisht dhe me pasoja serioze për vendin”, - thuhej në letrën e nënshkruar nga sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj.
Vendorët socialistë protestuan të shtunën kundër qeverisë
Të shtunën e kaluar, drejtuesit socialistë të bashkive dhe komunave të vendit protestuan kundër qeverisë. Protesta u udhëhoq nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, njëkohësisht kreu i socialistëve që këto ditë në mbarë vendin, po drejton protestat për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Në fjalën e mbajtur, në protestën për vendorët, Rama akuzoi qeverinë se po sulmon pushtetin vendor. Bashkiakët i drejtuan Berishës një apel publik që më pas u nënshkrua nga secili prej tyre. Ata kërcënuan se në rast se kërkesat nuk merren parasysh, atëherë ata do të hidhen në protesta në datën 5 dhjetor. “Qeveria nuk do dhe nuk di t’i zgjidhë problemet. Ne kërkojmë angazhimin tuaj për plotësimin e 5 kushteve tona deri më 5 dhjetor”, - ishin fjalët e Ramës në protestën e së shtunës. Të zgjedhur vendorë socialistë më pas nënshkruan apelin me kërkesat e mëposhtme: Anulimin e amendamentit për taksat vendore, anulimin e vendimit që i konsideron bizneset e vogla, si të mëdha, aplikimin e taksave të ndara, kompensimin e të ardhurave nga përgjysmimi arbitrar i taksave të biznesit dhe dhënien fund të praktikës së granteve për nevojat e funksioneve vendore.
Kërkesat e bashkiakëve të PS-së
Anulimin e amendamentit për taksat vendore
Anulimin e vendimit që i konsideron bizneset e vogla si të mëdha
Aplikimin e taksave të ndara për tatimin mbi të ardhurat personale dhe tatimin mbi fitimin e kompanive
Kompensimin e të ardhurave nga përgjysmimi arbitrar i taksës së biznesit të vogël në vitin 2005
Dhënien fund të praktikës së granteve për nevojat e funksioneve vendore dhe të mos ndahen ato sipas përkatësisë partiake
18 Nentor 2009