E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Qeveria po uzurpon tokat bujqësore që janë dhënë në përdorim sipas Ligjit 7501



Shaban Sulçe

Partia Socialiste kundërshton projektligjin më të ri që pritet të kalojë së shpejti për miratim në Kuvend dhe që është ai “Për disa ndryshime në ligjin e vitit 1995, për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”. Deputeti socialist Fatmir Toçi deklaroi dje në një konferencë për shtyp se ky ligj është vënë në shërbim dhe në favor të interesave të klanit qeveritar, për të grabitur tokat e shqiptarëve. Sipas Toçit, ky ligj është një përpjekje e hapur për të uzurpuar tokat bujqësore që u janë dhënë në përdorim shtetasve sipas Ligjit 7501. “Në një kohë që shqiptarët presin nga qeveria ndërmarrjen e masave për zgjidhjen e çështjes së pronës mbi tokën dhe dhjetëra e qindra konflikteve që kanë lindur në dy dekadat e fundit, një tjetër përpjekje po bëhet për uzurpimin me ligj të tokave bujqësore që janë në përdorim të shtetasve sipas Ligjit 7501”, - u shpreh Toçi. Deputeti socialist sqaroi se ky ligj, i cili kalon në pronësi të përdoruesve tokën, e redukton ndjeshëm atë deri në 1/3 e asaj që përdoruesit kanë sot. “Pjesa tjetër i kalon shtetit, i cili ndërkohë e ka ligjëruar shitjen e tokave shtetërore”, - u shpreh Toçi.

Akuza
Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Toçi, deklaroi se gjithnjë e më tepër po rriten shqetësimet për veprimet e qeverisë, të cilat po lejojnë uzurpimin dhe grabitjen e tokave të shqiptarëve në favor të një grushti njerëzish, të lidhur me familjen në pushtet. “Kjo grabitje me ligj, por duke mos kursyer as dhunën policore kur e lyp nevoja, që kërkohet t’u bëhet banorëve është një tjetër shprehje e përpjekjeve të paskrupullta të një klani pushtetarësh për të gllabëruar ç’të mundin nga ajo që ka mbetur, kryesisht në zonat bregdetare me mundësi zhvillimin e turizmit, që nga Velipoja e Shëngjini e deri në Ksamil. Rasti i Orikumit, Livadhit në Himarë, Borshit, Qeparoit, Kakomesë dhe gjithë bregdetin e Jugut është vetëm kambana e alarmit që ka nisur të bjerë për rrezikun e grabitjes së tokave nga shtetarët, nëpërmjet sekserëve të tyre, banorëve që e kanë në përdorim sipas Ligjit 7501. Banorët e Orikumit vazhdojnë të jenë në pritje të mbajtjes së premtimit parazgjedhor nga kryeministri i tyre për kthimin e tokës që kanë nga përdorimi në pronësi dhe jo të batutave pa kripë të tij prej ekranit të televizionit për takimin e kreut të opozitës me banorët e këtij qyteti”, - vijoi Toçi.

Qëndrimi

Deputeti i Partisë Socialiste sqaroi se PS-ja dhe opozita do të jenë gjithmonë në krah të banorëve, të cilëve po u grabitet prona. Toçi tha se protesta e 20 nëntorit në Tiranë do të zhvillohet edhe për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare problemit të pronësisë në Shqipëri. “Partia Socialiste do të jetë gjithmonë në krahun e banorëve të pambrojtur përballë shtetit dhe pushtetit dhe interesave të ngushta të një grushti shtetarësh në mbështetje të të drejtave të tyre, duke kërkuar zgjidhje juridike përfundimtare të këtij problemi, i cili është kthyer për dy dekada në burim konfliktesh, shpesh të përgjakshme dhe pengesë serioze për zhvillimet normale të vendit. Protesta e 20 nëntorit në Tiranë për hapjen e kutive të votimit është protestë edhe për zgjidhjen përfundimtare të problemit mbi pronësinë e tokës në Shqipëri.
Ndaj u bëjmë thirrje edhe të gjithë banorëve të kërcënuar nga grabitja e tokës së tyre nga njerëzit e veshur me pushtet që t’i bashkohen kësaj lëvizjeje mbarëpopullore, si e vetmja rrugë për zgjidhjen e kërkesave të tyre”, - përfundoi deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Toçi.

PS-ja kundërshtoi edhe projektligjin “Për tokën e papunuar”

Partia Socialiste kundërshtoi dy ditë më parë edhe projektligjin e propozuar nga qeveria për tokën e papunuar. Deputeti i PS-së, Taulant Balla, akuzoi kryeministrin Sali Berisha se po grabit dhe po përvetëson pronat publike dhe private të shqiptarëve. Sipas Ballës, ky ligj synon të shpronësojë edhe shqiptarët që jetojnë në fshat. “Vjedhja e radhës e këtij hajduti pronash dhe trojesh synon të shpronësojë shtresën më të varfër të shoqërisë shqiptare, fshatarët. Sali berishët kanë bërë gati së fundi ligjin për tokën e papunuar, që vendos dhënien e tokës së papunuar me të dhjetë. Pra Sali Berisha shumë shpejt do t’u vjedhë tokën e bukës edhe fshatarëve. Pasi vodhi votat më 28 qershor, pasi shiti detin, pasi vodhi me ligj tokat në bregdet, pasi familjarët, ministrat dhe këshilltarët e tij legalizuan vilat, pasi shpronësoi si në diktaturë pronarët në Orikum, Lalëz, Borsh apo në qendër të Tiranës, Sali Berisha shumë shpejt synon të shpronësojë edhe fshatarët. Mbledhja e fundit e oborrit ministror tregoi se tashmë se beu që qeveris me pahir vendin do të çojë në Kuvend ligjin që i jep për pak lekë tokat publike njerëzve të familjes. Partia Socialiste denoncon me forcë babëzinë e Berishës që kërkon të kthehet në një feudal të shqiptarëve, ndaj u bën thirrje të gjithë njerëzve që nuk duan të jetojnë nën feudin e berishëve të jenë më 20 nëntor në protestë bashkë me ne”, - tha Balla.

18 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›