Berisha: “Qeveria do të pesëfishojë fondet për mbjelljen e ullinjve”
Kryeministri Sali Berisha deklaron se qeveria do të pesëfishojë fondet për mbjelljen e ullirit për të bërë të mundur që në katër vitet e ardhshme në Shqipëri të mbillen 20 milionë rrënjë ullinj dhe 30 milionë të tjera në vitet në vazhdim. Këto deklarata, kryeministri Sali Berisha i ka bërë gjatë Konferencës Kombëtare “Ullishtaria shqiptare në rrugën e zhvillimit intensiv”. Kryeministri theksoi se projekti për ullirin, i shpallur nga qeveria si projekt kryesor për katër vitet që vijnë për bujqësinë shqiptare, është një projekt kompleks, ambicioz, i cili synon një përmirësim të rëndësishëm të fondit të ullishtës ekzistuese dhe një përpjekje të gjithanshme për rritjen e prodhimit të saj. Në këtë kontekst, kryeministri siguroi se qeveria do të shtojë në buxhet fondet për investimet në këtë sektor. “Por, qeveria nuk ka ndër mend që të rrijë me fondin ekzistues. Pesëfishimi i tij në katër vitet që vijnë është një nga zotimet tona ambicioze. Ne duhet të mbjellim në 4 vjet 20 milionë rrënjë ullinj, për të hapur perspektivën e së paku 30 milionë të tjerave gjatë viteve në vazhdim. Janë qindra mijëra hektarë tokë në të cilat mund të mbjellim, më mirë se çdo gjë tjetër, ullirin. Nuk dua të flas për vlerat e tij, sepse ato tashmë janë të njohura, por tregu i tij është i përjetshëm, i garantuar. Ndaj ne duhet të përqendrohemi, më të gjithë potencialin tonë, që të ecim me shpejtësi drejt shfrytëzimit të kësaj mundësie të madhe për fermerët shqiptarë dhe për Shqipërinë”, - tha kryeministri Berisha. Gjithashtu, ai vlerësoi punën e bërë nga Ministria e Bujqësisë dhe grupi i punës i ngritur për projektin ambicioz të ullirit, të cilët kanë bërë një studim serioz të tokës, parcelave të mundshme për mbjelljen e ullinjve dhe gjendjes ekzistuese të tyre, si dhe të gjitha politikat që duhen ndjekur në këtë drejtim.
18 Nentor 2009