Avokatët mungojnë, seancat gjyqësore dështojnë
TIRANË - Mungesa e avokatëve u bë shkak për moszhvillimin dje të disa proceseve të parashikuara në Gjykatën e Shkallës së parë për Krime të Rënda. Dështimi i proceseve ka nisur që në orën 09:00, ku për mungesë të palës mbrojtëse, ka dështuar procesi në ngarkim të dy vëllezërve Abedin dhe Qamil Rexha, të akuzuar për rrëmbimin dhe më pas vrasjen e mjekut Behar Kastratit. Kjo nuk është hera e parë që proceset në Gjykatën e Krimeve të Rënda shtyhen për disa javë dhe shkak për këtë janë bërë mungesat e avokatëve. Ky shqetësim është ngritur edhe nga vetë gjyqtarët e Gjykatës së Krimeve të Rënda, të cilët i janë drejtuar edhe Dhomës së Avokatisë dhe Ministrisë së Drejtësisë për marrjen e masave ndaj avokatëve që bëhen shkak për zgjatjen e proceseve.
Dosja “Kashari”, nesër shorti për gjykim
TIRANË – Nesër do të hidhet shorti për dosjen e abuzimit me pronat. Pak ditë pasi Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës dosjen “Kashari”, është vendosur edhe hedhja e shortit për të për të përcaktuar edhe gjyqtarin e kësaj çështjeje. Të pandehurit e kësaj dosjeje janë Alfred Sulaj, 33 vjeç, ish-kryetari i komunës Kashar, Naim Karaj 45 vjeç dhe Faik Fejza 56 vjeç, ish-kryetarët e kësaj komune, përkatësisht për periudhën 2000-2003 dhe 2003-2007, Islam Shera, 65 vjeç, ish-kryeplaku i kësaj komune, Shefqet Alikaj, 51 vjeç, përgjegjësi i zyrës së Kadastrës, Ismail Sulaj, 42 vjeç dhe Xhevahir Hyka, 43 vjeç, banues në Kashar, si dhe Bardhyl Kamberi, Ismail Bakalli dhe Ruhi Valiasi. Ata akuzohen për "korrupsion pasiv nga të zgjedhurit vendorë", "shpërdorim detyre", "falsifikim të dokumenteve" dhe "mashtrim në bashkëpunim". Mësohet se të gjithë këta persona dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumentet e ndarjes së tokës, duke pajisur me vërtetim pronësie persona të ndryshëm, të cilët nuk kanë qenë banorë të komunës Kashar. Një veprim i tillë dyshohet se është kryer kundrejt përfitimeve të paligjshme të të akuzuarve. Madje, sipas hetimeve, personat që kanë përfituar padrejtësisht tokë rezultojnë të afërm, familjarë ose miq të të arrestuarve të operacionit "Kashari 2".
28 Maj 2008