E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-ushtarakët, kushtet për pension të parakohshëm dhe suplementar

Masa që është përcaktuar për të përfituar sipas kategorive për vjetërsi shërbimi. Pensioni i parakohshëm jo më i lartë se katërfishi i pensionit bazë

Laureta Rryçi

Tiranë - Ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm, pavarësisht nga koha e daljes në rezervë/lirim, deri në plotësimin e kushteve për pension të plotë pleqërie, përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi kur plotësojnë vjetërsinë e shërbimit si ushtarakë. Në masën 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt dhe kanë mbushur moshën 44 vjeç femrat dhe 47 vjeç meshkujt.
Masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi është 50 për qind e pagës referuese. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, mbi përcaktimin e mësipërm, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës referuese.
Pensioni i parakohshëm
Masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe se katërfishi i pensionit bazë, sipas përcaktimit të Ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet kur ushtaraku përfitues rikthehet në shërbimin aktiv. Periudha për të cilën ushtaraku përfiton pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi njihet si periudhë sigurimi për efekt përfitimi pensioni të plotë pleqërie, sipas pikës 2 të nenit 58 të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Kontributi për këto kategori përballohet nga Buxheti i Shtetit dhe derdhet mbi bazën e pagës referuese, mbi të cilën është llogaritur pensioni i parakohshëm, por, në çdo rast, brenda kufijve të pagës minimale dhe maksimale, të indeksuar me koeficientet e indeksimit të pensioneve. Periudha 1.7.1992 deri 31.12.1998, për ushtarakët e dalë në reformë njihet periudhë sigurimi për efekt të pensionit të plotë të pleqërisë. Kontributet për këtë periudhë derdhen nga Buxheti i Shtetit, në bazë të pagës referuese nga çasti që ka lindur kjo e drejtë. Për ushtarakët, të cilëve u ka lindur e drejta e përfitimit të pensionit të parakohshëm para datës së hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 9210, datë 23.3.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, niveli i masës së përfitimit të llogaritur vendoset në kufijtë e parashikuar në këtë nen.
Pensioni suplementar
Sipas ligjit, ushtaraku i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, kur ka plotësuar kushtet për pension të plotë pleqërie, përfiton pension suplementar pleqërie si ushtarak.
Pensioni suplementar i pleqërisë llogaritet në masën 40 për qind të pensionit të plotë të pleqërisë, kur ushtaraku ka vjetërsi shërbimi 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt.
Për çdo vit tjetër të vjetërsisë së shërbimit mbi përcaktimin e mësipërm, masa e pensionit suplementar të pleqërisë shtohet me 2 për qind të pensionit të plotë të pleqërisë. Pensioni suplementar, në çdo rast, nuk duhet të jetë më i madh se 60 për qind të pensionit të pleqërisë. Ushtaraku që ka vjetërsi shërbimi më pak sesa përcakton ky nen, përfiton pension suplementar në masën 2 për qind të pensionit të plotë të pleqërisë, për çdo vit shërbimi në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Box
Kushtet e përfitimit
Personat që janë në ngarkim të ushtarakut të shërbimit aktiv, në rezervë ose lirim, që vdes apo ka vdekur, dhe që përfitojnë pension familjar marrin pension suplementar familjar. Masa e përfitimit të pensionit suplementar familjar llogaritet në 50 për qind për bashkëshortin/en e ve dhe 25 për qind për çdo jetim, prind dhe pjesëtar tjetër të familjes në ngarkim, me kufi maksimal shumën e plotë deri në 100 për qind të pensionit suplementar, që kishte ose i takonte të merrte të ndjerit, sipas këtij ligji. Pjesëtarët e familjes në ngarkim të ushtarakut, i cili për shkak të detyrës apo gjatë saj, humbet jetën, dhe që përfitojnë pension familjar, përfitojnë pension suplementar familjar.

Box
Masa e përfitimit të pagesës suplementare në rast vdekje të ushtarakut në rezervë ose lirim

Masa e pagesës në rast vdekjeje të ushtarakut në rezervë/lirim është e barabartë me masën e trefishit të pensionit bazë mujor, në shkallë vendi, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, dhe jepet nga Ministria e Mbrojtjes për ushtarakun që trajtohej me pagesë kalimtare ose nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, për ushtarakun që trajtohej me pension të parakohshëm.

KLD-ja, kandidaturat që do të garojnë në mbledhjen e sotme

Tiranë - Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të zhvillojë sot mbledhjen e radhës për vendet vakante për kryetarë që kanë mbetur pa u zëvendësuar. Burime nga ky këshill pohuan dje se presidenti në cilësinë e kryetarit të KLD-së ka përcaktuar mbledhjen duke përfshirë në rend të ditës kandidimin për kryetar gjykate në të dyja shkallët e Krimeve të Rënda, si dhe për kryetar Gjykate të
Sarandës, Vlorës dhe Dibrës. Të njëjtat burime shpjeguan se për këto vende bosh kanë mbërritur një sërë kandidaturash. Gara më e fortë pritet të zhvillohet mes gjyqtarëve që kandidojnë për kryetarë të Gjykatave të Krimeve të Rënda. Për Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda mësohet se janë përfshirë dy kandidatë, Dhimitër Lara dhe Gjovalin Përnocaj. Ndërsa për në Gjykatën e Shkallës së Parë ka më shumë kandidatë. Kryetari i Krimeve të Rënda për shkallën e parë, Sandër Simoni ka gjykuar të kandidojë sërish duke treguar kështu se ka ende për të dhënë për drejtimin e kësaj gjykate. Sipas burimeve mbledhja pritet të nisë rreth orës 10 të paradites dhe duket se do të vazhdojë për disa orë me radhë për shkak të numrit të kandidatëve për vendet që janë shpallur vakante prej disa javësh po nga ky këshill. Ashtu si edhe kandidatët e tjerë, që pak kohë më parë u përzgjodhën në disa gjykata të vendit, pritet që edhe këta kandidatë fillimisht do të paraqesin projektin e tyre për menaxhimin e gjykatës. Më pas anëtarët e këshillit do të votojnë për kandidatin më të mirë që ata gjykojnë se iu duhen besuar këto poste.

Kandidaturat
1 - Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Renda
Sandër Simoni
Dritan Hallunaj
Etleva Deda
Marsela Balili

2 - Gjykata e Apelit për Krime të Rënda
Dhimitër Lara
Gjovalin Përnoca

3 - Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë
Artur Malaj
Klodiana Gjyzari
Skerdilajd Konomi
Shkëlzen Selimi

4 - Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë
Alltun Çela
Ketra Bajrami

5 - Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër
Kastriot Selita

28 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›