Dy muaj burg me kusht 15-vjeçarit që mashtronte për jetimët
28/05/2005 TIRANË – "Ju lutem jepni ndihmën tuaj për jetimët. Vini emrin në formular dhe firmosni. Në rast se do të kontribuoni për jetimët do të dilni në televizor. Unë vij nga Bashkia e Tiranës. Përfaqësoj jetimët e shtëpisë ’Zyber Hallulli’". Leonard Kika, vetëm 15 vjeç, nga Lapraka, kishte arritur të gjente punë në një farë mënyre. Është vëllai i tetë motrave dhe vëllezërve të tjerë. Jeton në një familje me të ardhura të pakta. Ndërsa për të fituar të ardhura ka sajuar historinë e jetimëve. Një muaj më parë, policia kishte marrë njoftim nga një punonjëse e Bashkisë për një fëmijë që trokiste nëpër dyert e familjeve të ndryshme dhe kërkonte ndihmë. Menjëherë 15-vjeçari është shoqëruar në polici. Me vete në momentin e ndalimit i janë gjetur dy formularë të printuar. 15-vjeçari nuk ka treguar se ku i kishte shtypur formularët. Ndërsa është marrë menjëherë në përgjegjësi penale. Në burg nuk është mbajtur për vetë moshën dhe veprën jo shumë të rrezikshme. Dje, gjyqtari Arben Kostandini ka dënuar me dy muaj burg me kusht 15-vjeçarin, Leonard Kika, për veprën penale të mashtrimit. Brenda këtij afati dymujor, Kika nuk duhet të kryej asnjë vepër tjetër penale, në të kundërt ai do të detyrohet të kthehet në burg. Sipas gjyqtarit që shpalli vendimin, 15-vjeçari nuk mund të dërgohej në burg, për shkak të moshës së tij të vogël. Në rast se 15-vjeçari do të mbyllej në burg me të rriturit, atëherë do të ishin të gjitha mundësitë për t’u bërë një kriminel. Për Kostandinin, kjo moshë duhet të rehabilitohet me vendime jo të rënda. Vendimi i djeshëm i gjykatës tregonte se djali i vogël nga Lapraka, kishte trokitur në disa dyer dhe kërkonte para në emër të Bashkisë, me qëllim ndihmën e jetimëve. Disa nga familjarët kishin dhënë para, ndërkohë që të tjerë i kanë mbyllur derën.