Avokati: Arrestimi, makinacion për mosrekrutimin e klientit
Ilir Malindi, avokati mbrojtës i Artan Kristos, të arrestuarit të dyshuar për "nxitje, thirrje publike dhe propogandë për kryerje veprash terroriste" deklaroi dje se klienti i tij është i pafajshëm dhe se Shërbimi Informativ Shtetëror ka dashur që ta rekrutojë atë si agjent. Fakti që ky shërbim nuk arriti ta rekrutojë, përgatit arrestimin e tij. Malindi tha se ditën e djeshme u bë identifikimi i personit të arrestuar Artan Kristo. Sipas tij, klienti i tij i arrestuar më 12 tetor, që në vitin 2000 e këtej është thirrur nga Shërbimi Informativ për t'u rekrutuar për llogari të tij. "Ai gjithnjë ka refuzuar për shkak te bindjeve të tij fetare myslymane." Malindi ka deklaruar se klienti i tij i ka kundërshtuar me neveri këto perpjekje.
Sipas Malindit, i arrestuari Kristo i ka thënë mbrojtjes se "Edhe pse më kanë rrëmbyer dhe dërguar në dhoma hotelesh duke më kërcënuar edhe me jetën, nuk e kam pranuar këtë kërkesë. Akuzat ndaj Kristos, janë thjesht një imagjinatë e sektorit më ordiner dhe diletant siç është sot SHISH",- thotë Malindi. Më tej ai tregon se klientit të tij, i janë vënë në mënyre të kundraligjshme 5 numra telefonash në përgjim dhe se qe përgjuar edhe faqja e tij e internetit ku ai bashkëbisedonte me besimtarët e tij. Klienti im është i pafajshëm , thotë Malindi, dhe se nuk ka pranuar fajësi per vepren e arrestuar.
Ai ka deklaruar se te gjitha shkrimet ne internet janë pjesë e Shkrimeve të Shënjta të Kuranit, dhe si të tilla nuk mund të nxisin kënd për vepra terroriste sikundër e kanë akuzuar. Ilir Malindi e përfundon deklaratën e vet duke e cilësuar të pafajshëm Kriston dhe duke akuzuar shërbimet sekrete shtetërore si toleruese të veprimeve agjenturore të shërbimeve agjenturore të huaja. "Akuza që i bëhet nëpërmjet Prokurorisë, tregon paaftësinë e këtij shërbimi, duke u marrë me raste të padëmshme të veprimtarisë fetare si rasti i klientit tim",- tha avokati.