E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia rrugore, aksion ndaj makinave të vjedhura

DURRËS/ 50 automjete janë bllokuar në dy ditë nga blutë

DURRËS - Policia rrugore e Durrësit ka ndërmarrë një aksion për kontrollimin e makinave me targa të huaja pas sinjalizimeve nga Interpoli për një sërë mjetesh që dyshohet se janë vjedhur në vendet e tjera dhe që mendohet të jenë trafikuar në Shqipëri. Mësohet se vetëm gjatë 48 orëve të fundit janë bllokuar mbi 50 automjete, të cilat kanë qenë kryesisht me targa të huaja. Në krye të operacionit ka qenë kryepolici i Durrësit, Ilia Nasi, i cili për më shumë se një orë ka ndjekur kontrollet në postbllokun e ngritur pranë Torrës Veneciane. Ndërkohë mësohet se 3 postblloqe të tjera janë ngritur pranë urës së Dajlanit, pranë Muzeut të Dëshmorëve dhe tek stacioni i trenit.

Objekt i kontrollit të makinave ka qenë dokumentacioni i tyre i origjinës, por edhe kontrolli teknik. Policia rrugore ka bllokuar vetëm të mërkurën 35 automjete të cilat janë dërguar në pikën e bllokimit në Shkozet. Aksioni "blic" i uniformave blu të qytetit bregdetar, të cilat kishin marrë përforcime nga qyteti fqinj të Durrësit, do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme, bëjnë me dije drejtuesit e policisë. Ky aksion zhvillohet pak ditë pas analizës 9-mujore që u bë nga policia e Durrësit dhe detyrave që u vunë për të përmirësuar kontrollin dhe luftën kundër trafikimit të mjeteve motorike. Një ndër objektivat që kanë ndërmarrë blutë është edhe ulja e nivelit të lartë që ka pasur vdekshmëria nga aksidentet rrugore, ku një rol të rëndësishëm luajnë edhe të metat teknike të automjeteve.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›