Avokati Prokurimeve, 300 ankesa për tenderët dhe koncesionet
Gjatë vitit të kaluar, Zyra e Avokatit të Prokurimeve ka ndjekur 400 çështje hetimi për tenderë dhe të dhënies me koncesion për bizneset. Nga këto, 100 çështje kanë qenë monitorime të rastësishme të ndërmarra nga Zyra e Avokatit të Prokurimeve dhe 300 kanë qenë ankesa të ngritura nga biznesi. Nga 300 ankesat e biznesit, 120 çështje kanë kaluar për hetim administrativ dhe 180 për shqyrtim administrativ, pasi janë vërejtur mospërputhje kriteresh. Për dhënien me koncesion ka pasur 3 ankesa nga biznesi. Avokati i prokurimeve, Altin Qoshja ka thënë se zyra e tij është në mbështetje të operatorëve ekonomikë për çdo pretendim që ata do të kenë, lidhur me procedurat e prokurimit publik. Gjatë vitit 2011, zyra e avokatit të prokurimeve synon të rrisë monitorimet dhe hetimet për çështjet e prokurimit publik. Kur avokati i prokurimeve gjykon se ka shkelje apo parregullsi mes palëve kontraktuale, ai i raporton autoritetit kompetent duke i dhënë zgjidhjen dhe trajtimin e përshtatshëm çështjes. Avokati i Prokurimeve është një institucion i pavarur, që mbron të drejtat e ofertuesve, duke monitoruar dhe hetuar procedurat e prokurimit publik dhe të dhënies me koncesion në Shqipëri në zbatim të ligjit, dhe për më shumë transparencë dhe përgjegjshmëri nga autoritetet kompetente. Në bazë të ligjit “Për Prokurimin Publik”, Avokati i Prokurimeve monitoron procedurat administrative në prokurimin publik dhe në dhënien me koncesion, duke hetuar veprimet e jashtëligjshme dhe të parregullta, ose mungesën e veprimeve nga autoritetet kontraktore, në bazë të ankesave të paraqitura ose me iniciativën e tij.