E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Turizmi malor, i përjashtuar nga taksat për pesë vjet

SHKRUAN: Sabina Veizaj 21-01-2011 11:43

Turizmi malor në Shqipëri do të përjashtohet nga taksat për 5-7 vjet. Ka qenë kryeministri Berisha, që e ka deklaruar këtë fakt, duke u nisur nga një prioritet i rëndësishëm i qeverisë që drejton, turizmin. Për këtë qëllim, ai i ka kërkuar ministrit të Financave, Ridvan Bodes, që së bashku me Ministrinë e Turizmit të përgatisë një plan të ri, me synimin që të gjitha investimet në zonat malore, për 5 deri në 7 vjet, të jenë të përjashtuara tërësisht nga taksat. “Ne kemi një potencial të jashtëzakonshëm malor. Ka disa ndërtime të mrekullueshme në Llogara, që mund të merren model. Ka diçka dhe në Voskopojë, por në zonat e tjera, me gjithë dëshirën e madhe që kam për të numëruar, janë vetëm disa hane të rregulluar në Theth dhe Valbonë. Ndaj në këtë pasuri të jashtëzakonshme, duhet të bëjmë çdo gjë që ta vëmë në përdorim e shfrytëzim e ta kthejmë në vlerë. Them të përjashtojmë nga taksat për një 5-vjeçar, sepse turizmi malor në Shqipëri pothuaj nuk ekziston, nuk ekziston as si traditë. Përveç Shishtavecit apo tek -tuk ndonjë fshati në Korçë”, - është shprehur kreu i qeverisë. Ai ka vërejtur se nuk ka qenë për taksa free sepse taksat që aplikohen në vend, sipas tij, janë taksat më të ulta, por për resortet turistike malore ato do t’i përcaktojë Ministria e Financave, sepse, sipas Berishës, zonat turistike malore janë përrallore për nga bukuria e tyre, por për fat, në tërësi zonat e banuara përreth tyre nuk kanë fuqinë e mjaftueshme ekonomike që t’i zhvillojnë ato. Kryeministri Berisha, gjykon se regjimi pa taksa, 5 vjet, në zonat e përcaktuara, do të jetë një nxitje për infrastrukturë logjistike turistike, e cila nuk ekziston, ose është inekzistente, ose është ajo që ka qenë dhe dy mijë vjet më parë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›