E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani zbardh skenarin për uljen e tarifave bankare

SHKRUAN: Sabina Veizaj 21-01-2011 11:34

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë flet për herë të parë nga Shkodra, në lidhje me tarifat e larta bankare, duke paraqitur një skenar të mundshëm në lidhje me uljen dhe kontrollin e tyre.

Banka Qendrore ka një skenar për uljen e tarifave bankare. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, flet për herë të parë nga qyteti i Shkodrës, në lidhje me çështjen më të nxehtë ekonomike të ditëve të fundit; tarifat e larta që aplikojnë Bankat e Nivelit të Dytë në vend për qytetarët. Ai e pranon faktin se konsumatorët shqiptarë vuajnë pasojat e tarifave të larta bankare dhe ka bërë publik një skenar të mundshëm, i cili do të ndihmojë në uljen dhe kontrollin e këtyre tarifave.

Banka e Shqipërisë, sipas projektit në fjalë, mendon të ofrojë një stimul konkret në këtë proces për bankat tregtare, duke ulur më tej kostot me të cilat ato përballen për përdorimin e sistemeve të pagesave, AIPS dhe AECH, gjatë transaksioneve në lek, për llogari të tyre apo të klientëve të tyre në Bankën Qendrore. Sipas Fullanit, institucioni që ai drejton, gjykon se nëpërmjet një politike më konkurruese, në vendosjen e çmimit të këtyre produkteve nga ana e sektorit bankar, jo vetëm mund të përfitojnë më shumë klientët, por mund të realizohet një rritje e vëllimit të tyre dhe të gjenerohet një rritje e të ardhurave për vetë sektorin bankar. Gjithashtu, pjesë e skenarit për uljen e tarifave bankare, është rritja e transparencës së sektorit bankar në marrëdhënien me klientët, për shërbimet në fjalë. Për këtë qëllim, Fullani bëri me dije, gjatë takimit të djeshëm në Shkodër, se janë vendosur tashmë në zbatim kërkesat për ndërtimin e metodologjive të caktuara, për përcaktimin e kostos efektive të kredisë dhe përcaktimin e saktë të detyrimeve kontraktuale në marrëdhënien me klientët. Bankave do t’ju kërkohet të ofrojnë të gjithë informacionin dhe shpjegimet e nevojshme për klientët e interesuar. Gjithashtu, në të njëjtën logjikë, nga bankat do të kërkohet ndërtimi i metodologjive, për përcaktimin e kostos së shërbimeve bankare, që lidhen kryesisht me pagesat dhe transfertat e ndryshme. Në të njëjtën kohë, duke iu referuar projektit të Bankës së Shqipërisë, një hap tjetër për uljen e tarifave bankare lidhet me forcimin e kërkesave për rritjen e përgjegjshmërisë, në drejtimin e institucioneve bankare, duke riparë në mënyrë të vazhdueshme proceset nëpërmjet të cilave bankat realizojnë vendimmarrjen, sigurojnë kontrollin e veprimtarive të caktuara e të raportimit të tyre brenda institucionit, si dhe ndërveprojnë me publikun.

Vëzhgimi

Duke u nisur nga një draft gati i përfunduar në Ministrinë e Financave, për të tatuar fitimet e bankat e nivelit të dytë, me qëllim uljen e barrës ekonomike të qytetarëve shqiptarë, pas kërkesës së bërë nga kryeministri Berisha, gazeta “MAPO” bëri një vëzhgim në disa nga bankat në kryeqytet. Vendimi i pritshëm për të tatuar fitimin e këtyre bankave ka pasur një ndikim psikologjik tek ato. Punonjësit që merren me riskun e kredive kanë shprehur mendime të ndryshme, në lidhje me tarifat bankare, specifikisht në lidhje me normat bazë të interesit të kredive. Të pozicionuar në dy kahje të ndryshme, ata shprehen se vendimi i pritshëm do të ndikojë pozitivisht për klientët e bankave. Sipas punonjësve, bankat do të detyrohen të ulin normat e interesit për të mos u tatuar dhe në këtë mënyrë do të kenë një ofertë më të lirë e për rrjedhojë edhe kërkesë më të lartë. Duke iu referuar kredive, punonjësit që merren me riskun u shprehën për “MAPO” se 2011 do të ketë një rritje të kërkesës për kredi për shtëpi, duke marrë parasysh se pavarësisht krizës, është kredia me një risk afër zeros, pasi personat që blejnë shtëpi me kredi lënë si kolateral hipotekën e shtëpisë në fjalë. Ndërsa grupi i personave që mendojnë se vendimi i pritshëm do të rrisë tarifat bankare dhe sidomos normat e interesit e justifikojnë analizën e tyre tek përballimi i riskut. Sipas tyre, duke qenë se Bankat e Nivelit të Dytë funksionojnë me kapitale të donatorëve, ata duhet të fitojnë për të shlyer interesat e donatorëve e më pas të kenë fitimin e tyre.

BSH: Gjatë 2011-ës do të rritet kreditimi dhe monitorimi i cilësisë së saj

Viti 2011 do të jetë viti i kreditimit më të madh. Banka e Shqipërisë gjykon se veprimtaria e kreditimit në vend ka nevojë për zgjerim dhe përmirësim të cilësisë së saj. Sipas saj, zgjerimi i ritmeve të kreditimit do të mbështetet më mirë gjatë vitit 2011, në sajë të dy zhvillimeve të rëndësishme, siç janë, përmirësimi i ndjeshëm i situatës së likuiditetit dhe prirja rënëse e normave të interesit, edhe për kredinë në lek. Banka e Shqipërisë vëren se shenjat e para të një ecurie më pozitive, u dhanë në dy muajt e fundit të vitit 2010, kur ritmi vjetor i kredidhënies u përshpejtua dukshëm. Nga ana tjetër, cilësia e kredisë mbetet problematike, sipas BSH-së, por një përmirësim gradual pritet të shënohet gjatë këtij viti. Banka e Shqipërisë, gjithashtu u kërkon bankave të Nivelit të Dytë që të jenë aktive në trajtimin e kredive me probleme për mbledhjen e tyre. Sipas saj, për kreditë që vlerësohen pa shpresë arkëtimi, në përputhje me kërkesat e kuadrit ligjor e rregullativ, bankat duhet të veprojnë për ekzekutimin e kolateralëve. Banka e Shqipërisë gjykon se në këtë proces ka nevojë për përmirësime të mëtejshme ligjore, për të pakësuar rrezikun e bankave në veprimtarinë e kreditimit dhe për të siguruar ulje të kostos së tij për klientët dhe ky proces është i nevojshëm për të pastruar bilancet e bankave, nga investime që rëndojnë ato, dhe për të çliruar burime që do të përdoreshin për kredi të reja. Në këtë mënyrë, monitorimi i cilësisë së kreditimit dhe i sjelljes apo vështirësive që ndeshin bankat në këtë proces, është në qendër të veprimtarisë mbikëqyrëse të BSH-së.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›