E Diel, 1 Nëntor 2026

BBC: Çmimet e karburanteve në Shqipëri drejt 200 lekë

Gati çdo ditë, konsumatorët e karburanteve në Shqipëri mbeten të befasuar. Çmimet e tyre po shënojnë një rritje galopante. Sipas Agjencisë së lajmeve Britanike BBC, vetëm në pak ditë, nga 150 lekë për litër, çmimet e naftës dhe të benzinës tashmë i kanë kaluar 160 lekë për litër dhe me këto ritme, shifra 200 lekë mund të arrihet shumë shpejt. Sipas tregtarëve të karburanteve, arsyeja kryesore është ndryshimi i shpeshtë i çmimit të karburanteve në tregun botëror kohët e fundit, pasi tregu shqiptar i karburanteve varet gati tërësisht nga importi. Disa specialistë të tregut vërejnë se një ndikim jo të vogël ka pasur edhe ndryshimi i kursit të këmbimit, midis lekut dhe valutave të huaja, në favor të këtyre të fundit. Në tre muajt e fundit, monedha shqiptare është zhvlerësuar me rreth 6 për qind, në raport me dollarin amerikan. Autoritetet e Konkurrencës thonë ndërkohë se po monitorojnë tregun, për të parë nëse ka spekulime. Vazhdimisht rritja e çmimit në tregun ndërkombëtar të karburanteve është shoqëruar me rritjen e menjëhershme të çmimeve me pakicë, por një gjë e tillë nuk ndodh kur çmimet e shumicës ulen.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›